Më 12 Gusht të vitit 2010 Aristotel Guma humbi jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik. 35-vjeçari po udhëtonte me motorin e tij në Himarë, kur u përplas nga një automjet. Aksidenti i tij tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e të gjithë banorëve të Himarës, mediave dhe politikës shqiptare e greke, pasi pretendohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e nacionalizmit.
Emisioni “Opinion” udhëtoi drejt Himarës për të parë reagimin e banorëve në lidhje me aksidentin e Gumës, por u përball vetëm me frikën e tyre, pasi sapo njiheshin me temën largoheshin. Ata pranuan vetëm se Himara është në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave të politikës shqiptare dhe asaj greke.
Aksidenti i Aristotel Gumës u bë shkaku i një shpërthimi polemikash, duke përfshirë edhe nivelet më të larta të politikës.
Për kreun e qeverisë greke, Jorgos Papandreu, aksidenti i Gumës ishte një shpërthim nacionalizmi në Shqipëri ndaj minoritetit grek. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të mbrojë të drejtat e këtij minoriteti, pasi në të kundërt marrëdhënia dy palëshe dhe perspektiva europiane e Shqipërisë do të mund të vihen në rrezik. Nga ana tjetër kryeministri Berisha premtoi zgjidhjen e kësaj çështje nëpërmjet organeve kompetente.
Emisioni “Opinion” u fokusua sonte te minoriteti grek, nëse ka një lloj intolerance ndaj tyre, apo janë ata provokuesit. Për të diskutuar mbi tensionet shqiptaro-greke, në studio ishin të ftuar deputeti dhe shkrimtari Sabri Godo, politologu Artur Zheji, komentatori Preç Zogaj, kryetari i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule, gazetari Vangjel Zaferati dhe komentatori Orfea Beci.
Sipas Godos, ekzistojnë probleme të karakterit racist dhe etnik ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve, pavarësisht deklaratave se marrëdhëniet janë të shkëlqyera.
“Ajo që më tërheq mua më fort vëmendjen në këtë problem të kohëve të fundit është deklarimi i kryeministrit Papandreu, që vëren shpërthim të nacionalizmave në Shqipëri. Kjo drejtpërdrejt më ka lënë të habitur. Papandreu ka një karrierë të tillë politike, që mund ta quash një nga politikanët më në zë të Europës. Ai shikon shpërthimin e nacionalizmit në Shqipëri, ndërsa s’mund të jepet asnjë provë për këtë dhe harron gjithë ato që ka në ngarkim qeveria greke”, u shpreh Sabri Godo, i cili numëroi rastet e 5 viteve të fundit, kur janë vrarë në mënyrë barbare shqiptarë në Greqi, duke i cilësuar si rasta të pastra të urrejtjes raciale.
Nga ana tjetër kreu i PBDNJ mohoi të ketë patur përplasje sistematike etnish për ta cilësuar si një konflikt. Sipas tij, Shqipëria dhe Greqia kanë një nga marrëdhëniet më normale, duke e krahasuar me shumë kombeve të tjera fqinje.
“Kemi marrëdhënie fqinjësie, komunikimi, marrë-dhënie, të cilat janë karakterizuar nga mirëkuptimi dhe respekti. Por që nuk u janë shmangur edhe përjashtimeve, të cilat kanë qenë për vlerësimin tonë sporadike, konjukturiale dhe shpesh herë jo rrjedhojë logjike e këtyre marrëdhënieve midis kombeve në tërësi, por edhe individëve. Në ndryshim nga realiteti, gjithmonë ka patur zëra që janë investuar në këto incidente sporadike, duke u përpjekur që të krijojnë përshtypjen e tendencës”, shpjegoi Dule./tvklan.al