33 vatra zjarri janë shuar gjatë 24 orëve të fundit, nga 39 vatra të raportuara. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në:
Zonën pyjore Bode (Bashkia Maliq), fshatin Skuraj, (Bashkia Kurbin), malin e Kakarriqit (Bashkia Lezhë), fshatin Gjadër (Bashkia Lezhë), fshatin Zavalinë (Bashkia Elbasan) dhe fshatin Kus (Bashkia Tiranë).
Për shuarjen e plotë edhe të këtyre zjarreve janë duke punuar sot strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga ato në nivel qendror. Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara.
Në operacionet e fundit për shuarjen e vatrave morën pjesë rreth 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.
Ministria e Mbrojtjes ju bën thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë./tvklan.al