Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Vazhdon largimi masiv i të ardhurve drejt Kosovës nëpërmjet pikave të kalimit të kufirit të Morinës dhe Qafë Prushit. Vetëm deri në orën 11 të ditës së sotme nga Morina kanë kaluar 6500 vetë bëjnë të ditur burime të komisariatit të policisë së Kukësit. Që nga fillimi i kalimit të kosovarëve nga Morina janë larguar 62600 kosovarë.
Sipas burimeve të prefekturës në Kukës vazhdojnë të grumbullohen të ardhur nga rrethe të tjera në brendësi të vëndit. Numërohen rreth 24 mijë njerëz. Po kështu disa qindra kosovarë janë kthyer në portin e Durrësit nga Italia për kthimin e menjëhershëm në Kosovë.
Sipas burimeve të policisë së portit shumica e kosovarëve nuk kanë pranuar të pajisen me dokumenta të qëndrimit në Itali. Nga ana tjetër edhe disa qindra Kosovarë të punësuar në Zvicër, Austri apo Gjermani po kthehen me tragete në Durrës për të shkuar më pas në Kosovë.
Ndërkohë kanë vazhduar edhe plagosjet aksidentale për shkak të kalimit të pa kontrolluar të kufirit. Kështu dje në brezin kufitar të Kukësit janë plagosur katër vetë në afërsi të fshatit Orgjosë, të cilët kanë rënë në mina. Sipas burimeve të spitalit të Kukësit dy prej tyre janë në gjendje të rëndë./tvklan.al