Edhe këtë verë, ashtu si ato të viteve të fundit, Greqia po përballet me një situatë të vështirë nga zjarret. Mbi 2 mijë vatra janë regjistruar deri më tani gjatë këtij sezoni të të nxehtit në gjithë vendin.
Vatra më e fundit e shpërthyer është ajo e ishullit jugor të Kretës që shpërtheu të Enjten. Flakët e mëdha detyruan autoritetet të evakuojnë banorët e 8 fshatrave malorë të rrezikuar nga flakët.
250 zjarrfikës vendas, por edhe nga Athina e qytete të tjera janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, që favorizohen nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, duke krijuar edhe shqetësime për mijëra turistë të huaj që vizitojnë ashtu si çdo vit këtë ishull.
Ndërsa në Brazil, zjarre masivë të pazakontë kanë përfshirë disa zona pyjore në shtetin federal verior të Amazonës. Në hemisferën jugore, aktualisht është stina e dimrit dhe shpërthimi i zjarreve është diçka e rrallë. Ndryshimet klimatike si pasojë e ngrohjes globale po e bëjnë gjithnjë e më të thatë edhe stinën e dimrit, duke favorizuar flakët.
Tv Klan