Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana është ndeshur me shqetësimin e fermerëve të Qarkut të Fierit gjatë një takimi të zhvilluar në sallën e teatrit Bylis. Fermerët kanë kërkuar subvencionimin e të gjitha kulturave bujqësore dhe jo vetëm të vreshtarisë dhe pemëtarisë.

Fermeri 1: “Me skemën e subvencionimit, janë lënë jashtë loje të gjithë ata fermerë që merren me kultivimin e bimëve të arave dhe bimëve foragjere.”

Fermeri 2: “Ia aplikoj me forcë ministrit subvencionin e fermerit t’i vejë direkt fermerit, me specialistët që mbulojnë zonën. Mos të shkojë më në komunë apo në bashki, t’i vejë direkt në dorë fermerit, me lista dhe me cek në bankë.”

Nga ana e tij ministri është përgjigjur se bujqësia ka ecur përpara por ka ende punë për të bërë dhe se jo gjithçka duhet parë negativisht. Sipas tij fondet për subvencionimin e fermerëve do të dyfishohen.

Jemin Gjana: “Një gjë është e vërtetë në bujqësinë shqiptare që në këto 3 vite, punët nuk kanë ndenjur në vend. Që në bujqësinë shqiptare ka më shumë progres, që në bujqësinë shqiptare ka po aq shumë nevoja dhe probleme për të zgjidhur.”

Më pas ministri ka vizituar një fermë të mbarështimit dhe rritjes së derrave, si dhe ka përuruar  fillimin e punimeve të kanaleve kulluese në komunën Kuman një projekt ky i financuar nga Banka Botërore./tvklan.al