Mazhoranca dhe opozita vazhdojnë të superojnë me konsensus të gjerë muajt e fundit, të gjitha çështjet më të rëndësishme politike të ditës. Pas miratimit me shumicë dominuese votash të ndryshimeve kushtetuese rreth 3 muaj më parë edhe amendimi i rregullores së Kuvendit është miratuar me plot 102 vota pro dhe vetëm 9 kundër.
Ndryshimi rregullores parlamentare përcakton procedura të reja lidhur me shqyrtimin e kandidaturave që vijnë nga institucione të ndryshme, si dhe zhvillimin e seancave dëgjimore nga komisionet parlamentare me këto kandidatura.
Në seancë plenare është miratuar gjithashtu edhe projektligji për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në vite. Ligji i hartuar nga qeveria synon evidentimin e rasteve të ndarjes abuzive të tokës me ligjet e miratuara gjate 18 viteve, sidomos me ligjin 7501.
Opozita ashtu si edhe ne komisionet parlamentare e ka kundërshtuar miratimin e këtij drafti. Kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj tha, se ligji i miratuar do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, por ministri i Bujqësisë Jemin Gjana tha se nuk do t’i merret toka kujtdo, por atyre që e kanë vjedhur atë.
Në seancën parlamentare është rikthyer pas një mungese gati 6 mujore, ish-kryeministri Fatos Nano, rikthim që i jep mundësinë të mos ketë probleme me pagesat financiare dhe mandatin e deputetit./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama