Pasi prezantoi këtë të hënë paketën“Anti-KÇK”, kreu i qeverisë Edi Rama reagoi në rrjetet sociale. Në një postim në Twitter, ai thotë se pret shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës, të cilën e cilëson si më agresiven ligjore që një qeveri ka formuluar 30 vitet e fundit.
“S’kemi dëgjuar gjë akoma,po ama s’kanë parë gjë akoma! Operacioni Forca e Ligjit (OFL) as nuk dublon, as nuk pengon, as nuk anashkalon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi, po është komplementar me to dhe do t’i bëjë një shërbim të madh shoqërisë, në këtë fazë tranzitore të sistemit të drejtësisë! Kaq për momentin”, shkruan Rama.
Nisma që mban autorësinë e vetë shefit të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, do të synojë goditjen e të gjitha pasurive të vendosura pikërisht nga paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Betejën në terren do ta bëjë një strukturë e posaçme e vendosur me ligj në varësi të Ministrisë së Brendshme. Platforma parashikon një sërë masash për personat me rekorde kriminale, që nis nga llogaridhënia për mënyrën si e kanë vendosur pasurinë deri tek kufizimi i lirisë së lëvizjes.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se për këtë paketë ka mbështetjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë. gjatë prezantimit të sotëm ai paralajmëroi anëtarët e grupit parlamentar të PS se nëse nuk e votojnë paketën do të përjashtohen. /tvklan.al