Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Intervistë me Kryeparlamentarin zotin Skënder Gjinushi.
Skënder Gjinushi, Kryetar i Parlamentit:- “Ne kemi qenë gjithmonë të bindur që kjo është politikë e imponuar, pra nuk është marrë në mënyrë demokratike ky vendim nga vetë institucionet e PD, por është një politikë e mbartuar e importuar dhe e përfaqësuar vetëm nga individë të caktuar apo klane të caktuara në PD. Kjo është një shenjë shumë pozitive që PD-ja po arrin të çlirohet nga ky diktat që demokracia e brendshme në PD fillon të funksionojë. Pra është një dështim i politikës së Berishës direkt si shkaktari kryesor i këtij bojkoti dhe si personi që e ka imponuar këtë në mënyrë të qëllimshme dhe për qëllime që nuk i shërbejnë aspak PD”.
Gazetari:- A do i jepni ju kohë PD të rikthehet në Parlament duke zgjatur legjislaturën meqë jemi në prag të mbylljes së saj?
Skënder Gjinushi, Kryetar i Parlamentit:- “Po koha është gjithmonë sepse këtu s’ka rëndesi a merr pjesë formalisht në një seancë, Kuvendi është gjithmonë në aktivitet, deputeti është gjithmonë ne aktivitet aq më tepër në Shqipëri ku problemet janë të mëdhaja dhe ky sesion do të vazhdojë deri nga fundi i Korrikut pasi ka ende punë, pra ka ende projektligje që duhen shqyrtuar dhe miratuar ashtu si përsëri duhet ndjekur nga afer situata në Rajon dhe posaçërisht në Kosovë ku po vendoset gradualisht paqja dhe gjithnjë e më tepër Kosova po shkon drejt lirisë, drejt vetvendosjes, sepse po vihet nën kontrollin e nje force që është një forcë që mbron demokracinë, mbron lirinë, mbron te drejtat e çdo individi, çdo qytetari, pra të NATO-s dhe të vetë shqiptarëve të përfaqësuar me posaçërisht aktualisht nga UÇK-ja dhe nesër nga partitë shqiptare dhe nga institucionet që do ngrenë ata”.
Gazetari:- Si e gjykoni ju pjesmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zbardhjen e çështjes së zotit Hajdari. E shikoni si një element pozitiv?
Skënder Gjinushi, Kryetar i Parlamentit:- “Zbardhja e çështjes Hajdari është një detyrim që ka drejtësia, që kanë institucionet përkatëse. Kuptohet që politizimi i kësaj çështje në mënyra nga më absurdet dhe totalisht në mënyrë të qëllimshme, madje dhe instrumentalizimi ose keqpërdorimi, kanë qenë disa nga arsyet ose arsyet kryesore pse nuk kemi një zbardhje të kësaj çështje deri tani. Fillimisht unë nuk shoh nevojën e ndihmës së të tjerëve sesa shoh nevojën që përfundimisht të lihet e lirë drejtësia, organet përkatëse për ta zbardhur çështjen. Pra të hiqet dorë nga instrumentalizimi, nga keqpërdorimi dhe po të ndodhë një gjë e tillë nuk është e vështirë qe të dalë e vërteta. Dhe si çdo vrasje aq më tepër vrasja e nje deputeti është obligim për institucionet përkatëse që të nxjerrin të vërtetën sa më parë dhe në mënyrë sa më të drejtë dhe që të shkojnë të dënohen ata që janë shkaktarë në çfarëdolloj mënyre apo forme të implikimit të tyre”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame