Plani i shumëdiskutuar i Italisë për të dërguar emigrantët që mbërrijnë me anije në brigjet e tyre, në Shëngjin, ka marrë vëmendjen e mediave të huaj.
Është media britanike Sky News, gazetarët e së cilës kanë patur mundësi të hyjnë në dy qendra që do të përdoren për të strehuar refugjatët.
Këto pamje tregojnë edhe strukturën dhe si është i ndërtuar ai. Menaxheri i policisë së shtetit italian, Evandro Clementuçi, mbikëqyr qendrën dhe tregon rreth dhomës së kontrollit e cila monitoron 40 kamera në gardhin metalik me perimetër pesë metra të lartë. Ai shpjegon për gazetarët se vetëm burrat e shpëtuar në ujërat ndërkombëtare do të strehohen në këto qendra. Emigrantët do të marrin kujdes shëndetësor, ushqim, ujë dhe rroba.
Sipas marrëveshjes deri në 36 mije emigrantë, të shpëtuar nga anijet italiane, do të dërgohen në Shqipëri çdo vit. Dy qendrat e emigrantëve të drejtuar nga italianët po ndërtohen në Shëngjin dhe në Gjadër, rreth 45 milje në veri të kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri nga qendra e azilkërkuesve Fabrizio Buçi, hedh poshtë çdo krahasim me skemën e azilkërkuesve të Mbretërisë së Bashkuar në Ruandë.
“Të dy planet nuk janë të krahasueshëm dhe lidhja e pretenduar mes tyre është e papërshtatshme. Brenda qendrave tona në Shqipëri ka juridiksion italian: pra ligjet italiane dhe rregullat italiane. Ne kemi studiuar gjithashtu legjislacionin shqiptar për migracionin dhe e dimë se përputhet me legjislacionin evropian”, thotë ai.
Ndërtimi në qendrën e Gjadrit duket se ka mbetur prapa planit thotë rrjeti televiziv britanik, por zyrtarët janë të bindur se do të jetë gati brenda disa javësh.
Klan News