Sllovakia mbështet integrimin evropian të Shqipërisë dhe konsideron se vendi ynë e meriton liberalizimin e vizave.
Mesazhi u përcoll nga Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili priti në Bratislavë zv/kryeministri dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Lajçak shprehu vlerësimin e tij të lartë për arritjet e vendit tonë në rrugën e reformave dhe plotësimin e të gjitha kritereve që kërkon liberalizimi i vizave.
Nga ana e tij Meta shprehu besimin se vendimi për këtë regjim do të merret së shpejti dhe se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të vazhdojnë.
Për kryediplomatin sllovak, Shqipëria po luan një rol konstruktiv në rajon duke shërbyer si një faktor paqeje dhe stabiliteti.
Pas Bratislavës Meta ndaloi në Estoni në takimin dyditor të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s mbi të ardhmen e armëve bërthamore në Evropë dhe marrëveshjen e fundit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi reduktimin e arsenalit të tyre.
Meta u takua me një sërë homologësh të tij pjesëmarrës në këtë takim jozyrtar, mes të cilëve edhe Ministri i Jashtëm bullgar, Nikolaj Mlladenov./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle