Sllovakia ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri sllovak Robert Fico pas vizitës së fundit në Moskë. Në një takim të Këshillit të Lartë Ekonomik Euroaziatik në Leningrad, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia ishte e hapur ndaj një propozimi sllovak për të pritur bisedimet e paqes me Ukrainën me synimin për t’i dhënë fund luftës.
“Nëse bëhet fjalë për këtë, pse jo? Sllovakia mban një pozicion neutral nga këndvështrimi ynë. Për ne është një alternativë e pranueshme,” tha Putin. Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se kryeministri sllovak i kishte thënë atij gjatë vizitës se autoritetet sllovake do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për negociata.
Udhëheqësi i opozitës sllovake Michal Šimečka tha për mediat lokale se nëse Fico dëshiron paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, ai duhet ta bëjë Putinin që t’i japë fund luftës.
Fico është shfaqur këtë vit, së bashku me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, si dhe një mbështetës i Rusisë, duke u zotuar të bllokojë Ukrainën nga anëtarësimi në NATO dhe duke refuzuar të dërgojë ndihmë ushtarake shtetërore në Kiev. Shumica e kushteve për paqe që ka sugjeruar deri tani Putini, janë cilësuar si të papranueshme nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Zelensky vazhdimisht e ka kritikuar Sllovakinë për miqësinë e Ficos ndaj Rusisë qëkur u kthye në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023. Fico ka premtuar gjithashtu se do të marrë pjesë në 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Moskë në Maj 2025.
Klan News