Formula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është pjesë e diskutimeve të mbyllura në nivel ekspertësh në komisionin e posaçëm kuvendor.

Në këtë drejtim deri në formulimin e një ideje të qartë mbi mënyrën e funksionimit të institucionit kryesor përgjegjës për zgjedhjet negocimet mes palëve do të jenë jashtë kamerave.

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm, Fatmir Xhafa, thotë se gjithsesi përbërja e KQZ-së së ardhshme duhet të jetë me teknicienë.

Fatmir Xhafa: “Ekspertët janë duke debatuar për të gjetur një zgjidhje. Nëse më pyesni mua personalisht e kam thënë që në administrimin zgjedhor duhet të dominojnë njerëzit që i emëron ligji dhe jo partisë. Nëse ky do të vonohet miratimi i kodit, do të vonohet dhe konfigurimi i KQZ-së vihen shumë në diskutim një sërë afatesh për një sërë udhëzimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.”

Xhafa ka hedhur poshtë pretendimet e disa partive të vogla se mungon transparenca në hartimin e reformës.

Për këtë ai kujtoi vendimet e marra ku nuk ka munguar as vota pro e të vegjëlve të politikës.

Fatmir Xhafa: “Ka një kundër për mikrofonat e televizioneve, ka edhe një kundër apo një pro në komision. Në komision deri më sot që po flasim amendamentet që janë miratuar dhe që kanë qenë amendamente të rëndësishme, po ju them për shembull siç është amendamenti për koalicionet që kishte goxha debat përpara se të kalonin në komision. Kanë kaluar me miratimin e të gjithë anëtarëve”.

Bashkëkryetari socialist garantoi se puna e komisionit do të përfundojë brenda datës 31 Tetor.

Sipas tij shtyrja e mëtejshme e afatit do të vinte në diskutim seriozitetin e politikës për kryerjen e reformës./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi