Në emisionin “Historia ime” në TV Klan në një lidhje në Skype ishte sociologu Gëzim Tushe.
Në lidhje me lëvizjet dhe grumbullimet e njërëzve gjatë orarit të vendosur nga shteti për të dalë, sociologu u shpreh se ne kemi nevojë të bindemi dhe të respektojmë masat e marra dhe distancat me njëri-tjetrin sepse virusi nuk është në gjumë.
Gëzim Tushe: Kjo është shprehje e një lloj mendjelehtësie që kemi ne në përgjithësi në shoqërinë tonë, që nuk e vlerësojmë ashtu siç duhet, në përmasat e duhura rrezikun. Koronavirusi nuk është një fenomen i sipërfaqshëm dhe mua më duket se kjo ideja e vendosjes së këtyre leukoplasteve socialë, që lidhen me fashat orare që lejon shteti për të dalë, duket sikur ato janë shpëtimtare, por nuk është kështu. Virusi nuk është në gjumë, ai përkundrazi është në një lloj veprimi dinamik, agresiv, në zgjerim dhe është i gatshëm të presë si të thuash, këto mendjelehtësitë dhe këto vakumet. Ne kemi nevojë të bindemi, jo vetëm për rrezikshmërinë e saj, por të thyejmë edhe disa zakone të mënyrës si veprojmë.
Më tej, Tushe shton se çdo njeri duhet të ndërgjegjësohet dhe të ndryshojë sjellje sepse jemi përballë një të panjohure.
Gëzim Tushe: Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Një nga gjërat që virusi duhet të na mësojë është të ndryshojmë mënyrat e vjetra, paradigmat, modelet e mënyrave si jemi sjellë me veten tonë dhe me shoqërinë. Nëqoftëse nuk do ti ndryshojmë këto gjëra, të jeni të sigurt që kjo sëmundje jo vetëm nuk do tërhiqet, por kam përshtypjen se viktimat dhe rreziqet e saj do jenë akoma dhe më të mëdha. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen, të kuptojnë që nuk ka rrugë tjetër. Jemi përballë një të panjohure, që nuk po jep përgjigje as mjekësia, as askush. E vetmja gjë që kemi në dorë është vetja dhe duhet të mbrojmë veten./tvklan.al