Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qeveria shqiptare ka parashikuar bisedime të gjata dhe të vështira me Bashkimin Europian, deri në nënshkrimin e MSA. Një ditë pas vizitës së Trojkës Europiane në Tiranë, Ministri i Integrimit Sokol Nako, ka vlerësuar si një sfidë të madhe suksesin e negociatave, hapja e të cilave do të shpallet zyrtarisht në fund të muajit në kryeqytetin shqiptar nga kryetari i KE Romano Prodi.

Sokol Nako:- “Është shumë e vështirë të përcaktohet një kalendar kohor për përfundimin e tyre, sepse nuk është vetëm në dorën tonë, bëhet fjalë për një marrëveshje dhe marrëveshja kërkon dy palë. Pra në një masë të madhe do të varet edhe nga konkluzionet e vlerësimet që do të bëjë komisioni, por edhe vendet anëtare të BE. Natyrisht, ne jemi plotësisht të angazhuar, që këto negociata të mbyllen me sukses, por njëkohësisht të demonstrojmë atë aftësi tonën për të zbatuar detyrimet e marrëveshjes në një kohë sa më të shkurtër. Është shumë e vështirë tani të flitet për fundin e negociatave, kur akoma jemi duke pritur”.

Zoti Nako, i cili kryeson negociatat për palën shqiptare, ka njoftuar se menjëherë pas vizitës së Prodit, dy grupet negociatore do të diskutojnë nga ana teknike, tekstin e MSA. Plotësimi i kushteve të saj do të jetë në vazhdim sfida kryesore për Shqipërinë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço