Kombëtarja do të luajë sot miqësoren e fundit para Europianit. Shqipëria do të përballet me Azerbajxhanin prej orës 19:00 në stadiumin “Haladas” në Hungari, një sfidë që do të përcillet nga TV Klan, ashtu si i gjithë Euro 2024.
Ky takim shikohet si testi që do të qartësojë formacionin ndaj Italisë. Kuqezinjve u kthehet kapiteni Gjimshiti, Seferi, Abrashi e Ramadani, të cilët u lanë pushim ndaj Lihteshjenit pak ditë më parë. Sylvinho do të ndryshojë një pjesë të lojtarëve, në krahasim me miqësoren e së hënës.
Gjimshiti me Hysajn, pritet të kthehen në mbrojtje, ndërsa në mesfushë Ramadani. Në krahun e majtë të sulmit mendohet të jetë Seferi, i cili parashikohet të ketë shokë reparti Asanin dhe Brojën. Pas miqësores, trajneri Sylvinho pritet të tregojë se cili nga lojtarët do të largohet nga grumbullimi që lista të jetë me 26 futbollistët që kërkon UEFA.
Në fundjavë do të nisin përgatitjet në Gjermani në pritje të 15 Qershorit, ku në Dortmund do të fillojë aventura e dytë e Kuqezinjve në një Europian me shpresën që të kalojnë grupin.
Tv Klan