Deputeti: Nisma e Berishës e nevojshme për ringritjen e partisë, të kthehet në krye të PD nëse votohet nga anëtarësia
Ish-nënkryetari i PD, Edmond Spaho thotë se partia është përfshirë në krizë për shkak të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili vijon të mbajë drejtimin e selisë blu edhe pas humbjeve të zgjedhjeve.
“Kemi humbur 4 beteja elektorale: 2015, 2017, 2019 që na tha dhe Komisioni i Venecias, që na vuri tërë fajin ne për qëndrimin që mbajtëm dhe 2021. Pra, dy palë zgjedhje lokale dhe dy palë zgjedhje të përgjithshme. Kur do të vijmë ne në pushtet? Cili drejtues i PD ka humbur kaq shumë dhe ka vazhudar të drejtojë?”
“Nëse ne nuk kemi të drejtën të mendojmë ndryshe dhe të flasim, atëherë partia përfundon kështu si ka përfunduar. Në një drejtim autokratik, individualist ku gjithçka merr rrugën “bëni si them unë, bëni si them unë sepse i pari këtu jam unë dhe s’ka tjetër”.
Deputeti i qarkut të Korçës, gjatë intervistës për Klan News u shpreh se kreu i PD nuk e ndalon dot mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe nëse zgjidhet nga anëtarësia, Sali Berisha duhet të rikthehet në krye të partisë.
“Foltorja i ka dhënë një goditje tërmeti Partisë Demokratike, shumë të nevojshme pasi jemi bërë një parti e mbyllur e cila drejtohet në mënyrë shumë autoritare. Në flasim që Berisha ka drejtuar si diktator, ndryshon si nata me ditën me mënyrën si drejtohet sot PD. Shumica e delegatëve të Kuvendit Kombëtar duan që të mblidhet Kuvendi Kombëtar kështu që le të vijë nëse ka mbështetjen. Por shumica, do ta shikoni kur të dorëzohen formularët e mbledhjes së Kuvendit, shumica e delegatëve mbështesin lëvizjen e Foltores e cila do t’i garantojë ndryshim PD-së. Nëse do t’i garantojmë këto për zotin Berisha, sigurisht do të jetë kryetar i partisë”.
Përsa i përket amendamenteve kushtetuese të depozituara nga PD në Kuvend, Spaho tha se opozita nuk ka asnjë instrument që mund t’i imponohet PS për arritjen e konsensusit, përveçse votës për zgjatjen e afateve të vettingut.
Klan News