Kryetari i PD, Sali Berisha ka vijuar kundërpërgjigjet ndaj akuzave të ngritura nga SPAK për çështjen “Partizani”. Në konferencën për mediat ku mori pjesë online, kryedemokrati tha se SPAK e fajëson atë edhe për një firmë që është vendosur nga Edi Rama në kohën që mbante detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e destinacionit të pronës.

Sali Berisha, Kryetar i PD: Fshehin dokumentin zyrtar që e kanë në dosje, në të cilin del se jo Sali Berisha, por është Edi Rama që ndryshoi destinacionin e zonës nga zonë sportive ne zone urbane ndërtimi 5 muaj më herët nga sa pretendon Skapi i partisë, konkretisht me datë 08.06.2012.

Berisha pati edhe një përgjigje për paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama, i cili në asamblenë e PS në Durrës deklaroi se PD në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrë më shumë mandate deputeti se në vitin 1997.

Sali Berisha, Kryetar i PD: Edi Rama do të marrë ato që mori Ramiz Aliaj në vitin 1992 dhe asnjë votë më shumë. Në çdo zgjedhje të lirë.

Këmbëngul për ngritjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve.

Sali Berisha, Kryetar i PD: Opozita qëndron. Do të nisë betejën për qeveri teknike, në të drejtën më kushtetuese më ligjore të saj, për të rikthyer votën e lirë shqiptarëve.

Kreu i demokratëve theksoi se vijojnë përpjekjet për shkatërrimin e opozitës, por u zotua se nuk do e ndërpresë betejën për të mbajtur PD e bashkuar.

Sali Berisha, Kryetar i PD: Kurrë, gjer ditën e fundit të jetës time s’do mund t’i caktojë kush kryetarin kësaj partied he të shkelmojë mbi demokratët shqiptarë.

Kryedemokrati shprehet se opozita po përgatitet për protesta kundër qeverisë “Rama”, por ende nuk është caktuar një afat konkret.

Klan News