Dy grupe kriminale që vepronin në Sarandë dhe Tepelenë u goditën nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme që lëshoi 10 masa sigurimi, mes tyre edhe për 4 efektivë policie.
Nga këto masa u ekzekutuan vetëm 3 prej tyre, konkretisht për Shefin e Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, Shefin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin Erdit Hazizaj.
Ndërkohë, shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, u shpall në kërkim si pjesa tjetër e të hetuarve që sipas SPAK kanë rezultuar jashtë shtetit.
Referuar njoftimit zyrtar, punonjësit e policisë kanë qenë aktivë duke dhënë informacione dhe këshilla për drejtuesit e grupeve kriminale.
“Duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të Policisë së Shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme”, njoftoi SPAK.
Grupi kriminal që vepronte në Sarandë dhe që merrej me trafikun e lëndës narkotike drejt Greqisë drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i vrarë në Shtator 2022 në Tiranë dhe Eldian Allushi.
Atyre u është dokumentuar një rast trafiku në 2020 me një rulot që drejtohej nga 2 shtetas italianë.
“Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, njoftoi SPAK.
Grupi tjetër vepronte në Tepelenë dhe kultivonte drogën e cila më pas trafikohej drejt Greqisë. Hetimet u kryen në bashkëpunim me autoritetet greke dhe ato franceze dhe janë të bazuara në komunikimet e aplikacionit Sky.
Tv Klan