Kryeministri Edi Rama i ka siguruar emigrantët e Greqisë që u bënë pjesë e Panairit të Punës në Athinë, se realiteti i Shqipërisë nuk është ajo që shohin nga ekranet e televizioneve shqiptare.
“Më shumë mërziteni se sa gëzoheni kur merrni lajme nga kanalet e kënetës sonë”, tha ai.
Si tregues se ekonomia është rimëkëmbur në 12 vitet e qeverisjes së tij sjell shifrat për numrin e sipërmarrjeve që zhvillojnë aktualisht aktivitetin në vend.
“Kur ne morëm detyrën kishte 117 mijë subjekte biznesi, sot ka 250 mijë”, tha Rama.
Për ato që në Tiranë i quan shkelje standardesh dhe lirish të njeriut nga SPAK-u, në Athinë i quajti gabime që vijnë nga fakti se drejtësia në Shqipëri s’ka pasur kurrë mundësi të jetë e pavarur nga pushtetet.
“Drejtësia në Shqipëri nuk ka asnjë traditë pavarësie, por ne jemi shumë të vendosur që të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë. T’i durojmë të gjitha dhimbjet e padrejta”, tha Rama.
Nuk u mor gjatë me opozitën pasi tha se nuk donte të bënte fushat, por shkak i dha një incident i ndodhur në sallë me një nga kamerat që xhironte aktivitetin.
“Plasi syri i keq. Mu kështu do bjerë përtokë syri i bufit të kënetës”, tha Rama.
Për epitetet që i ka vendosur javët e fundit kreut të opozitës dhe opozitarëve kërkon ndjesë, por jo demokratëve, por kafshët që i krahason me ta.
“Këta që janë njerëz, por që nga pikëpamja njerëzore janë si salamandra dhe janë qenie më të ulëta se salamandrat dhe zhapikët e kënetës”, tha Rama.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian thotë kryeministri është hap që mund të hidhet vetëm nga partia e tij.
“Brenda vitit 2027 të mbyllim të gjithë procesin e negociatave. Është afati më i shpejtë që i është dhënë ndonjë vendi në historinë e negociatave”, tha Rama.
Ashtu sikurse ju tha në 12 maj në takimin “Krenar për Shqipërinë”, shqiptarëve të Greqisë iu kujton se qeveria e tij nuk do të negociojë asnjëherë një gjë që është shumë e rëndësishme mbi të gjitha për shqiptarët që jetojnë jashtë respektin në çdo tryezë me fqinjtë dhe ndërkombëtarët në përgjithësi.
“Mund të jenë më të pasur, mund të jenë më të mëdhenj, por në një gjë me ne nuk negociohet: respekt për respekt”, tha Rama.
Tv Klan