Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është marrë në pyetje nga SPAK këtë të mërkurë lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011. Pasi dha sqarimet e tij në cilësinë e personit që ka dijeni, Burgaj tha për mediat se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se ka ekzekutuar urdhrat e lëshuara në atë kohë nga prokuroria.

“Për bashkëpunimin që kemi pasur me të gjitha institucionet e tjera dhe kemi zbatuar ligjin. Asnjë urdhër nuk kemi pasur për të reaguar, policia si asnjëherë tjetër në gjithë historinë e saj ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë e dhunë ndaj protestuesve. Arrestet janë ekzekutuar”, tha Burgaj.

Hysni Burgaj është ish-zyrtari i parë që merret në pyetje lidhur me 21 Janarin, që pas rihapjes së kësaj çështjeje nga SPAK, në Korrik të 2024.

Protesta e socialistëve më 21 janar të 2011, ku mbetën të vrarë 4 persona, çoi pas hekurave ish-komandantin e Gardës, Andrea Prendin dhe gardistin Agim Llupo, por kërkesa e mazhorancës për të rihetuar atë ngjarje të cilësuar prej tyre si krim shtetëror, rihapi çështjen nga SPAK.

Tv Klan