Prokuroria e Posaçme ngriti një Task Forcë me dy grupe të posaçme, që do të luftojë krimet elektorale, para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Grupet e punës do të përbëhen nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, prokurorë dhe hetues të BKH-së, që do të punojnë disa nga zyrat qendrore në Tiranë dhe disa në terren në 12 qarqet.
“Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. Drejtuesi i Prokurorisë, sipas vlerësimit të situatës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.”
Ky plan masash cakton një hetues të BKH-s që të jetë në kontakt të drejtpërdrejt me KQZ. Gjithashtu, SPAK thotë se do të monitorojë edhe financat.
“Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.”
Në kuadër të monitorimit të krimeve zgjedhore do të ngrihet edhe një platformë denoncimi për qytetarët, të cilët mund te referojnë krimet zgjedhore që lidhen me korrupsionin, çdo vepër penale të kryer nga krimi i organizuar dhe zyrtarët e lartë.
Plani i masave parashikon gjithashtu ngritjen e një grupi pune që do të monitorojë të dhëna e bëra publike në media dhe rrjetet sociale.
Tv Klan