Euro 2024 kurorëzoi Spanjën si mbretëreshën e Europës përballë Anglisë që as këtë herë nuk arriti ta merrte kupën në shtëpi. Në këndvështrimin e Astrit Hafizit, Spanja nuk ishte e llogaritur si ekipi që mund të fitonte për shkak të ndryshimit të trajnerit, të rinjve të shumtë dhe shihej me dyshim.

Por diskutimi që lindi në “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte nëse Spanja kishte një formë të mirë apo skuadrat e tjera linin për të dëshiruar. Sipas Hafizit, Spanja gëzon disa elementë që arritën t’i jepnin fitoren.

Astrit Hafizi: Spanja ishte mirë. Një futboll i luajtur modern, një futboll argëtues. Brenda lojës së saj i kishte të gjithë elementët teknikë nuk diskutohet, edhe fizikë, edhe taktikë. Një skuadër që luante me front të gjerë, ishte e hapur, shumë e hapur, lojë nga krahët që këto vitet e fundit ne kemi filluar duke e zhdukur lojën e krahëve, por loja e krahëve është loja më e bukur, anësore, sulmueset anësore.

Aldo: ‘Wings’ që i thonë  këta. Po mirë nuk ka ‘wings’ apo është stili i lojës i tillë?

Astrit Hafizi: Nuk ka sepse skemat kanë dalë të tilla që i zhdukin këto dashje, padashje 3:5:2 ose 4:5:1, me radhë e duke vënë theks te veprimet mbrojtëse në përgjithësi skuadrat. Rëndësi ka të fitojnë një trofe, sesi e fitojnë pastaj nuk ka shumë rëndësi. Përpara ka qenë shumë e hapur loja, sidomos Hollanda ka pasur një hapësirë të jashtëzakonshme.

Aldo: Çfarë ia vlen të përmendet nga ky kampionat në lidhje me lojën, skuadrat, futbollistët?

Astrit Hafizi: Unë me aq përshtypje sa kam krijuar nëpërmjet ekranit, pavarësisht se pashë edhe dy ndeshje në stadium, me Italinë dhe me Kroacinë, por në përgjithësi ka pasur një shpërthim të elementit të ri që u vu re, sidomos te Spanja. Ajo merr guximin dhe është një skuadër e cila promovon lojtarë ku  skuadra të tjera duke filluar edhe me Italinë, me Anglinë, skuadrat që pretenduan për të dalë, Francën e këto, janë më konservatorë për zëvendësimin e lojtarëve që vjen një moment që çdo gjë ka një fillim, ka edhe një fund.

Aldo: E ke fjalën këtu për Ronaldo, Kane…

Astrit Hafizi: Pikërisht. Dole tamam aty. Këto quhen të paprekshëm, por duhen prekur ndonjëherë./tvklan.al