Jose Maria Cofreces është pronar i një bujtine në Galicinë veriperëndimore, një nga rajonet më piktoreske të Spanjës.

Është gjithashtu një nga zonat e favorshme për projektuesit e turbinave me erë.

Duke i bërë jehonë taktikave të komuniteteve rurale në të gjithë Evropën, banorët kanë përdorur gjykatat për të bllokuar planet që ata thonë se cënojnë mënyrën e tyre të jetesës.

“Fakti është se një pjesë e territorit është peizazhi dhe një pjesë e asaj që ne shesim këtu, në një farë mënyre është pikërisht peizazhi. Nëse i vendosin, është çmenduri”.

Qeveria ka miratuar një investim 2 miliard Euro për turbinat me erë në këtë zonë. Por ato u ndaluan nga gjykata më e lartë rajonale, kryesisht vitin e fundit, pasi vendasit dhe grupet mjedisore ngritën një mori padish.

“Për mua, turbinat e erës do të thotë të shpohen malet, të mbushen me gropa, një pafundësi betoni pikërisht aty”.

Qeveritë evropiane janë nën presion për të mbështetur objektivat ambicioze të energjisë së gjelbër të Bashkimit Evropian.

Në Evropë, Spanja është pas Gjermanisë për kapacitetin e prodhimit të energjisë së erës, por planet e saj për të dyfishuar sasinë deri në fund të dekadës janë ngadalësuar nga opozita vendase, si dhe nga pengesat e licencimit.

Rajoni nuk instaloi asnjë në 2022 dhe 2023, tregojnë të dhënat më të fundit. Në qytetin e Dumbria erërat janë mjaft të zakonshme në këtë pjesë të bregdetit galician, ku kuajt e egër ndajnë territorin me dhjetëra turbina.

“Pikërisht kjo kodër ku do të vendosin turbinat e para me erë është një zonë plot burime, plot dru zjarri nga njerëzit që e përdorin këtu për t’u ngrohur. Më duket jashtëzakonisht e padrejtë. Nuk informojnë, nuk paralajmërojnë,  dhe vijnë të shkatërrojnë pa marrë parasysh mendimin e popullit.”

Në anën tjetër, protestuesit anembanë Evropës janë bashkuar në lëvizje të organizuara, si ato në Galicia, ku kanë nisur sfida ligjore.

“Turbinat me erë pushtojnë gjithçka, mërzisin fermerët. Kanë mbetur pak njerëz në fshatra, pak të rinj. Dhe të moshuarit do të largohen, sepse do të shkojnë atje ku është e qetë, ku nuk do të ketë zhurmë. Më vjen shumë keq, por jam totalisht kundër.”

Sipas protestuesve qeveria rajonale e Galicias që jep leje për projekte të tilla nuk i dha peshë të mjaftueshme rreziqeve mjedisore dhe shkeli rregullat e BE-së për opinionin publik. Në 72 raste, gjykata e Galicia urdhëroi pezullime paraprake për arsye procedurale ose mjedisore. Qeveria rajonale ka apeluar në Gjykatën e Lartë të Spanjës.

Paula Uria, drejtoresha e përgjithshme e qeverisë rajonale për energjitë e rinovueshme, tha se 137 turbina me leje do të shtojnë kapacitetin e energjisë.

“Situata është me të vërtetë e vështirë, por ne e respektojmë sepse nuk kemi zgjidhje. Aktualisht 71 projekte aktualisht janë të paralizuara”.

Sipas ekspertëve të fushës shtimi i një kapaciteti të tillë do të gjeneronte rreth 4,800 vende pune gjatë pesë viteve nëse realizohen projektet.

Klan News