Kurba e infeksionit, në rënie në nivel global
Pas shtatë javësh në izolim, më në fund spanjollët janë lejuar të dalin nga shtëpitë sipas një vendimi të autoriteteve për lehtësimin e masave të ashpra kundër koronavirusit.
Rrugët e Madridit, parqet dhe plazhet e Barcelonës u mbushën me njerëz që vraponin, me çiklistë e të tjerë që shijonin diellin dhe ajrin e pastër.
Megjithatë, për të shmangur mbipopullimin qeveria spanjolle ka vendosur një rregullore për oraret dhe grupmoshat.
Nga e shtuna, njerëzit do të lejohen të bëjnë shëtitje të shkurtra apo të ushtrojnë sporte të ndryshme nga ora 6 deri në 10 të mëngjesit dhe nga ora 8 deri në 11 në darkë.
Hapësira nga mesdita deri në shtatë pasdite do të jetë e rezervuar për fëmijët, të moshuarit dhe shtresat vulnerabël.
Spanja është një nga vendet më të goditura nga pandemia e koronavirusit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i vdekjeve arriti në 25.100 të shtunën, pasi 276 ndërruan jetë brenda natës.
Numri i të prekurve në total ka shkuar në 216 582 .Edhe pse situata duket drejt përmirësimit në vendet europiane, në Shtetet e Bashkuara vijon të rritet numri i të prekurve dhe viktimave.
64.789 persona kanë humbur jetën teksa të infektuarit janë 1.1 milionë. Në Britaninë e Madhe viktimat janë 27.510.
Në Itali numri i viktimave vijon të jetë në rënie dhe 269 pacientë humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit. Infeksionet po bien dhe të shëruarit janë më të shumtë.
Kurba e infeksionit dhe vdekjeve është në rënie në nivel global.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 72.850 të infektuar duke e çuar në mbi 3 milionë e 181 mijë.
Tv Klan