“Kosova sot është një nga trashëgimet tuaja më të rëndësishme”, kështu iu drejtua Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ish-kryeministrit britanik Tony Blair.


Në një konferencë të përbashkët, ajo falenderoi Blair për kontributin e tij për lirinë e Kosovës në 1999-ën.

“Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi se sa shumë gjurmë keni lënë të populli ynë. Sot po rriten krahas me Kosovën dhe kujtimit për njeriun që dha një kontribut të madh në lirinë e vendit tonë. Ju jeni për herë të tretë në Kosovë dhe do shihni se sa hapa ka bërë Kosova në zhvillimin e saj. I nderuar Sir Blair, trashëgimia juaj në Kosovë është e shpresës dhe lirisë, jemi të nderuar që ju kemi mik dhe aleat në përpjekjet e vazhdueshme për progres. Populli i Kosovës do ju mbajë në zemër sot e përherë.

Ish-kreu i qeverisë në Britani të Madhe Tony Blair shprehu mirënjohjen për pritjen që i është bërë sot në Prishtinë. Ai theksoi se do vijojë ta mbështesë Kosovën në çdo hap të sajin diplomatik.

“Faleminderit shumë që më mirëpritët sot në Prishtinë, Kosovë. Është emocion i madh të rikthehem këtu. Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe tani jam i bindur se duhet të rrijmë krah njerëzve të Kosovës. Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën dhe mezi pres ditën që Kosova të zërë vendin e duhur në familjen e kombeve. Së shpejti, do t’u adresohem deptuetëve të Kuvendit, mirëpo dhe njëherë dua të shpreh falenderimin dhe solidaritetin me kosovarët që e kanë ndjerë atë kohë”, deklaroi Blair.

Pak më vonë, ai do u drejtohet me një fjalim qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve në Kuvend. Kjo është hera e tretë që Blair viziton Kosovën./tvklan.al