Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Protagonistët e spektaklit të madh Gjeniu i Vogël, ka mbërritur në gjysmëfinale. Edhe nata e mbrëmshme ka shënuar suksesin e radhës së këtij spektakli. Kjo ndoshta dhe për faktin, se gara vjen dhe shtrohet mes të përzgjedhurve të jurisë dhe votave të publikut. Ashtu si gjithmonë në auditor nuk mund të mungojnë prindërit, që ashtu padashur janë kthyer edhe ata në pjesë të këtij spektakli.

Nëse je aty për të parë se ç’ndodh pak para se të fillojë gara e talenteve të vegjël, nuk ndihesh vetëm i emocionuar, por edhe i befasuar nga mënyra e organizimit, i cili në fakt është i përsosur. Por për këtë të fundit e gjithçka tjetër lidhet me gjeniun, ne pyetëm vetë prindërit, të cilët i kemi nga të gjitha anët e Shqipërisë, madje dhe përtej kufijve të saj, Kosovë dhe Maqedoni.

Mihrije Braha: “Është fantastik, fenomenal pa diskutim dhe të them të drejtën, që me shikueshmërinë absolute përcillet në Kosovë dhe komentohet në mënyrën jashtëzakonisht tepër pozitive flas”.

Gazetarja: Kam parasysh dhe mund të thuash pa frikë, se ju jeni një femër, një grua, që e njihni mirë botën e artit, nga pikëpamja cilësore, ç’është një spektakël i tillë?

Mihrije Braha: “Fillimisht do të doja t’i përgëzoja tërë stafin realizues të këtij spektakli, unë e di që është një punë e jashtëzakonshme, e mundimshme, e të gjitha këto, por njëkohësisht, do të thoja se ka arritur atë çka ka dëshiruar, e aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijët, sepse unë mendoj që për fëmijët jashtëzakonisht rrallë bëhen ngjarje të tilla dhe aktivitete të tilla”.

Janë bërë që tani të famshëm, i duan dhe i afrojnë më shumë në shkollë, prindërit janë më të kujdesshëm dhe vetë ata më krenar për veten. Janë të talentuar, dinë dhe mund t’i japin shoqërisë një shembull dhe mesazh konkret e të mirë, por për këtë është dashur vetëm një sipërmarrje si kjo e Gjeniut të Vogël, i cili kërkon vetëm talentin dhe guximin për artin.

Spektakli është pritur dhe po përjetohet shumë mirë në Kosovë dhe Maqedoni dhe sigurisht ka marrë vlerësimet më pozitive nga kritikët shqiptarë për interpretimin live, i cili bën garën më të fortë, më serioze, më të besueshme dhe më emocionuese. Mbrëmë interpretuan 26 këngëtarë dhe po kaq do të jenë dhe javën e ardhshme. Ndërkohë që instrumentistët dhe balerinët e vegjël do të debutojnë nga 26 prilli dhe në vazhdim. Ka rreth katër muaj që po punohet për këtë spektakël gjigand, ku autorët kryesorë janë Pandi Laço, Adrian Hila dhe Bledi Laço. Vlen të përmendet përkujdesja e jurisë, e cila nga puntata në puntatë i duhet të përzgjedh e të përzgjedh.

Ketrin Gjoncaj: “Tani për spektaklin në përgjithësi po ecën bukur, shumë në rrugë të mbarë, ka fëmijë shumë të mirë, që këndojnë shumë bukur, që duken shumë bukur në ekran, të veshur bukur, gjithçka shkëlqen në këtë spektakël. Këtë e tregon jo vetëm interesimi i të vegjëlve, natyrisht që besoj e shohin kur spektakli ritransmetohet, po këtë interesim e tregojnë edhe të rriturit, e ndjejmë gjithandej që na përgëzojnë. Ndërsa tani bëhet shumë e vështirë, sepse ka fëmijë shumë të mirë dhe jemi tamam në fazën ku do të përzgjidhen më të mirët e më të mirëve, për të mbërritur në finale. Vërtetë do të jetë shumë e vështirë, ka shumë fëmijë të mirë dhe ajo që është me e keqja në thonjëza me jurinë është se ndonëse deri tani ne kemi votuar pa u ditur, si të thuash vota jonë, tashmë do të kemi rastin të argumentojmë përse votojmë kaq pikë për këtë fëmijë ose atë fëmijë. E kemi të vështirë, sepse fëmija është ndryshe nga i rrituri, mund edhe të preket. Duhet folur me gjuhën e fëmijës, do të jetë shumë e vështirë, ka shumë fëmijë të mirë”.

Emocionet dhe surprizat në javët që do të pasojnë pritet të jenë akoma më interesante, do të ketë shumë personazhe publik, të cilët do të kthehen në pjesë të këtij spektakli gjigand, siç është Gjeniu i Vogël./tvklan.al

Gazetare – Mira Kazhani