E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan këngëtarja e njohur Mihrije Braha erdhi me një rrëfim ndryshe. Përpos momenteve të hareshme përgjatë vitit, ajo tregon se gjithçka mori kthesë në Shtator. Nëna e saj ndërroi jetë… Mes dhimbjes dhe emocioneve, Mihrije Braha ndan me publikun pak nga kujtimet e saj me nënën në ato ditë të vështira teksa ajo “shuhej” dita-ditës.
“Deri në fillim të Shtatorit viti ka qenë shumë i bukur, por pastaj nëna ime ndërroi jetë dhe ishte një vit jo i mirë. Ishte një ngjarje që sado që e shihnim me sy që nëna çdo ditë e më shumë po shuhej, nuk e pranonim dot. Si përkufizim nuk ka qenë vit i mirë 2024 për mua. Para 12 viteve unë e kam humbur babain, u mërzitëm sa toka dhe qielli, por megjithatë e kishim nënën si gjysmën tjetër të shtëpisë. Me humbjen e nënës është një boshllëk i madh, që nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Humbja e madhe është kur nuk i ke të dy prindërit. Unë muajt e fundit kam qëndruar ditë e natë me nënën. Kam qëndruar një muaj pranë nënës, kam fjetur me të, kam qëndruar me të, kam qëndruar deri në momentet e fundit me të. Kanë qenë momente shumë të vështira, momente që i kujtoj në aspektin e mirë pozitiv, aq sa kemi pasur fuqi në dorë e kemi bërë për nënën.”
Duke folur për raportin që kishte me nënën, ajo e thotë me krenari se është një kopje e saj në miniaturë. Këngëtarja rrëfen se njësoj si dikur, nëna i përkëdheli edhe në ditët e fundit të jetës së saj.
“Kujtoj momentet e fundit kur u mblodhën të gjithë fëmijët e prindërve të mi dhe nëna nuk ishte në gjendje të thoshte as edhe një fjalë. Filloi të na përkëdhelte, të na ledhatonte, të na lëmonte flokët vëllezërve dhe motrave të mia, mua gjithashtu. Kam shumë foto e video me nënë edhe në gjendje jo shumë të mirë.”/tvklan.al