Lajme Arkiva 2003
Gazetari: Çfarë besoni se keni arritur?
Ali Ahmeti: Mund të përmend që ne kryesisht jemi përqendruar te arsimi, te siguria e vendit, te shëndetësia, për arsye se këto kanë qenë pikat ku pushtetarët kanë qenë tepër-tepër të diskriminuar. Sot udhëhiqen stacionet e policisë që nga Struga deri në Kumanov nga djem të rinj komandant shqiptar. numri dukshëm do të thotë se kemi lëvizje deri 100% të policëve në përfshirjen e tyre nëpër detyra. Një lëvizje mjaft të madhe kemi në spitale. Duke përfshirë që nga udhëheqja e deri te angazhimi i mjekëve që deri para pak kohësh kanë qenë pa punë. Optimist jemi që edhe në të ardhmen do të shënohen trende pozitive në drejtim të jetësimit të gjitha kërkesave për një barazi sa më të plotë të shqiptarëve në shtetin e tyre në Maqedoni.
Gazetari: Shumëkush mendon se marrë veshja e Ohrit ende nuk është jetësuar. Natyrisht ju do të thoni se ka kohë, por deri kur duhet të presin shqiptarët?
Ali Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit ka një afat. Diku është viti 2004, shkurt 2004 mirëpo këtu kemi një pengesë për arsye që nga fillimi diku rreth 9 muaj është vonuar fillimi për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit megjithatë ne do të bëjmë të pamundurën që këtë afat sot ta kapim, mirëpo çështja qëndron këtu, se vështirësitë e para janë te implementimi praktik, deri në shkurt të 2004, ne mendojmë të jenë të kaluara të gjitha ligjet në parlament, duke përfshirë edhe ligjin për gjuhët. Tani aktualisht në proces është ligji për vetëqeverisjen lokale dhe për decentralizmin e pushtetit, si edhe ligji për financim të pushtetit lokal, i cili është vërtet një ligj tepër konkret. Ne mendojmë se me decentralizimin dhe me vetëqeverisjen lokale, shumëçka do të përmirësohet dhe do të ketë një shtyrje shumë më të shpejtë drejt jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Gazetari: A mund të themi se Ali Ahmeti është kundër krijimit të shteteve etnike? Nëse jo pse? Nëse po pse?
Ali Ahmeti: Përcaktimet tona janë përcaktimet e të gjithë Evropës. Ne për gjërat duhet të flasim hapur. Ballkani ka qenë vendi i trazirave, po aq trazira sa Ballkani ka pasur edhe Evropa, përse ne të mos marrim shembujt e mirë dhe ti instalojmë në Ballkan, të marrim shembullin e Gjermanisë dhe të Francës, të Francës dhe të Anglisë. Vërtetë këto shtete kanë pasur luftë qindra vjeçare mes tyre, madje nëse e dhimbshme është historia jonë e shqiptarëve me fqinjët këtu, me luftëra dhe me gjakderdhje shumë të mëdha, po aq e dhimbshme është edhe historia e gjermanëve dhe e francezëve, janë vrarë edhe fëmijë 11 vjeçar të cilët i ka mobilizuar Luigji i XIV kështu që duhet të mendojmë që të tejkalohet e kaluara sepse po të qëndrojmë në të kaluarën asnjëherë nuk mund të ndërtojmë të ardhmen. Është shumë e rëndë në qoftë se ne mendojmë për ndarje të re , në qoftë se ne mendojmë për ngritje të reja të kufijve. Unë e kam thënë hapur, unë kërkoj të krijohen rrethana lehtësuese për të gjithë qytetarët qofshin në Maqedoni, qofshin në Shqipëri, qofshin në Kosovë. Të mos ngremë kufij të rinj, por të krijojmë rrethana të reja, pasi këto hapa duan guxim, sepse plagët janë të freskëta. Mirëpo edhe njëherë po them në hasmëri shekullore nuk jetohet.
Gazetari: A do të lënë shqiptarët kudo që janë mënjën lidhjen e Prizrenit? Apo do të lënë mënjën konferencën e Londrës, traktatin e Berlinit, Shën Stefanin?
Ali Ahmeti: Vëlla shiko po ti kthehemi historisë asnjëherë nuk mund të ndërtojmë të ardhmen. Historia për ne Shqiptarët është mjaft e hidhur dhe po ti kthehemi Londrës, konferencës së Berlinit atëherë unë do të shkojë edhe më larg se Gadishulli Ballkanik ka qenë i Ilirisë, gjysma e Italisë ka qenë e Italisë edhe një pjesë e Austrisë dhe e Zvicrës, po ti kthehemi kësaj historie asnjëherë ne nuk do të ndërtojmë të ardhmen tonë.
Gazetari: Çfarë qëndrimi ka forca juaj, ju personalisht për Armatën Kombëtare Shqiptare në tërësi?
Ali Ahmeti: Unë kam bërë një thirrje publike që ata njerëz të vijnë e të takohemi. Që të mos lexoj unë komunikatat e tyre përmes internetit. Kam bërë një apel të tillë mirëpo për fat të keq nuk kam pasur ndonjë takim me njerëz të tillë, akoma janë të panjohur për mua se kush janë. Unë dua ti shtroj çështjet konkretisht ti hedh mbi tavolinë nëse duan të ndajnë Maqedoninë si do ta ndajnë Maqedoninë, këtu, popullata është tepër e përzier. Nuk është interes as i shqiptarëve, por as i maqedonasve që ne të hyjmë në skema të tilla. Nëse dikush thotë se Ushtria Çlirimtare Kombëtare i tradhtoi idealet, le ta thotë hapur se cilat ideale kemi tradhtuar ne./tvklan.al