Lajme Arkiva 2003
Sa shpejt ikën koha! Një vit që Dori nuk është më. Ai ka ikur përgjithmonë në një udhëtim pa kthim, por duke lënë pas shumë kujtime. Të mbledhur bashkë miq e shokë, të njohur e të panjohur kanë përkujtuar 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të gazetarit, analistit dhe shkrimtarit të njohur Teodor Keko. Të gjithë janë mbledhur si dikur bashkë në një ambient ku hija e vdekjes nuk ndihej aspak. Ashtu siç ka dashur gjithmonë Dori, i cili e dinte mirë se një ditë do të vdiste dhe këtë fakt e priste i qetë si diçka e pashmangshme në jetën e tij.
Remzi Lani: Që nga ’82 kur jemi njohur dhe deri dy ditë para se ai të vdiste, kur kam folur për herë të fundit me të në telefonë, kanë qenë të pakta ditët kur nuk jemi takuar. Kemi pirë kafen e mëngjesit bashkë kështu që them se e njihnim mirë njëri-tjetrin. Teodori përveçse ishte një njeri i mrekullueshëm, një shkrimtar i talentuar, një gazetar, publicist i shquar, ishte një karakter i fortë. Ai e dinte se do të vdiste dhe kemi folur edhe për këtë në të vërtetë dhe pasi ndahesha nga Dori, në ato bisedat e vështira të fundit të jetës së tij mendoja ku e gjen kurajën ky njeri. Ka pasur një kuraje të pashoqe do të thoja. Dori ishte një personazh shumë kompleks. Dukej njeri i gëzuar, por në fakt nuk ishte i tillë. Përtej humorit, përtej ironisë së tij nuk ishte e vështirë të dalloje një fatalist të qeshur. Mendoj se ky do të ishte karakterizimi më i saktë për Dorin, “një fatalist i qeshur”.
Urrente shumë gjëra në jetë, një fatalist i pandreqshëm me një dramë të madhe në shpirtin e tij por edhe me një humor të këndshëm, kështu ishte Dori.
Preç Zogaj: Teodori ishte një tip i cili vuante duke buzëqeshur, ky ishte pak a shumë. Ishte një tip dramatik në thelb, por pak kush ja njihte këtë anë të natyrës së tij sepse vuante duke buzëqeshur, duke nënqeshur. Padyshim që Dori ishte nga ata shkrimtarë që vuante nga hipokrizia.
Nga jeta ime shtegtuan zogjtë
dhe njerëzimi e humbi seksin.
Tani unë flas për ç’do të lindë
pa parë turmat që po vdesin.
O miku im, oportunizëm,
ma hëngre kokën, ma bëre gropën!
Kujt t’i ankohem? Kë të mallkoj?
Më mirë po ik, të plehëroj botën!
Teodor Keko: Përsa i përket poezisë, unë poezi kam shkruar, por çështja është se poezia është arti më sublim për mua, domethënë është koncentrati më i fortë dhe kërkon një gjendje shpirtërore të jashtëzakonshme. Kërkon një ngarkesë shumë të madhe emocionale, kërkon të jetosh me të, gjë që unë nuk mund ta bëj dot, unë nuk e kam për turp ta pohoj që unë letërsinë e bëj për kënaqësinë time, për hobi.
“Made in Albania”, “Prostituta”, “Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet dhe disa njerëz” “Poema e absurdit”, “Të kam dashur por…” janë vetëm disa nga titujt e librave të botuar nga Teodor Keko. La pas shumë kujtime vepra në letërsi edhe pse ashtu siç thoshte edhe vetë Dori, letërsia ishte veç një hobi në jetën e tij.
Teodor Keko: Unë nuk jam shkëputur në asnjë moment nga profesioni i gazetarit. Edhe kur kam qenë deputetë edhe në situata të tjera që jam ndodhur, sepse ky profesion mua më ka dhënë gjithmonë të ardhura materiale të mjaftusheme që unë të ekzistojë në familjen time, të bëj atë jetë që dua. Duke e pasur gazetarinë punë të parë, kuptova që letërsia te unë ka kaluar si hobi, jo si një profesion i dorës së parë, por si profesion i dorës së dytë apo i dorës së tretë.
Një vit nga vdekja e tij nuk është shumë, megjithatë në shpirtin e miqve të tij diçka mungon.
Gramoz Pashko: Problemi më i madh i Dorit ishte vetja e tij, sepse gjithmonë duke qenë në kërkim të shumë gjërave, të gjithë ne shpesh herë ndruheshim se mos nuk arrinte dot. Unë isha nga ata që ai më qëndronte shumë pranë. Më qëndronte ai, se ishte më i vogël se unë dhe që kishim një lloj raporti, një afeksion të jashtëzakonshëm deri në momentin e fundit unë jam takuar me atë. Në momentin e fundit e kam pothuajse përcjellë në aeroport dhe kam pritur kufomën e tij, e kam shoqëruar në morg. Domethënë e kam ndier humbjen e Dorit si humbjen e njeriut më të afërt që unë kam pasur, do të thosha në një dekadë.
Vera Isaku: E kujtojmë si një njeri me vlera shumë të mëdha. Kam ndier vërtetë një keqardhje sepse në momentet kur unë e mora vesh dhe i shpreha keqardhjen për sëmundjen, ai më tha jo, këto janë budallaqe mos e beso gruan time. Këto ishin fjalët e fundit që unë dëgjova nga Dori. E kujtoj si një djalë optimist që dinte ti kapërcente. Optimist në dukje se në fakt Dori ka qenë njeri me brenga. Vdiq, vdekja është për të gjithë dhe e rëndësishme është kujtimet që ka lënë janë të bukura për të gjithë.
Larg syve mbetën buzëqeshjet
dhe dashuritë nga zemrat larg.
Veç vdekja afër, fare afër
me dorën ngritur qëndron në prag.
Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndjej,
shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë
mbeta i veshur me qejfin.
Sot s’është çudi në prag të jetë
duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. S’hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç në jetë ika./tvklan.al