Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Për dy ditë me radhë Presidenti Mejdani i shoqëruar nga Nënkryetari i Parlamentit Dokle, si dhe ministrat Milo, Poçi, Xhuveli, zhvilloi një vizitë shtetërore në Rumani me ftesë të homologut të tij Kostandinevsku. Në ditën e parë të kësaj vizite, nënshkrimi i një marrëveshje në fushën e rendit dhe tre të tjerave në fushën e bujqësisë ishin konkretizimi i kësaj vizite të nivelit të lartë.

Pas takimit zyrtar mes dy delegacioneve në deklaratën për shtyp që dhanë dy Presidentet, u rievokua miqësia tradicionale mes dy popujve tanë. Duke u ndaluar në situatën e krijuar pas konfliktit në Kosovë si dhe mundësive të reja që janë çelur pas zbatimit të Paktit të Stabilitetit, të dy presidentët ishin të një mendimi për rëndësinë e nxitjes së marrëdhënieve ekonomike duke riaktivizuar komisionet e përbashkëta si dhe për liberalizimin e vizave të kategorive të ndryshme.

Gjithashtu u vleresua bashkëpunimi në fushat e mbrojtjes, arsimit, kulturës e të tjerë si dhe u vlerësua marrëveshja për një luftë të përbashkët kundër trafikut të drogës, prostitucionit dhe trafikimit të fëmijëve e femrave. Presidenti Mejdani theksoi se tashmë ka ardhur koha për evropianizimin e Ballkanit. Ndërsa për presidentin rumun Kostadinesku, bashkëpunimi i dy veneve jo vetëm që duhet të forcohet por dhe duhet të gjenden rrugë dhe forma të tjera për efikasitetin e këtij bashkëpunimi.

Dita e parë e vizitës presidenciale, u mbyll me ceremoninë e dekorimit të Presidentit Mejdani me urdhërin “Ylli i Rumanisë” si dhe i Presidentit Kostandinevsku me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kryetari i Parlamentit Rumun Diagonesku i rezervoi një pritjë Mejdanit dhe delegacionit ku u theksua interesi dypalësh për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve.

Krijimi i një lobi shqiptar përmes bashkëpunimit shpirtëror dhe psikologjik të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, ishte mesazhi që Mejdani ju dha të pranishmëve në takimin me shqiptarët që punojnë e jetojnë në Rumani. Gjithashtu presidenti Mejdani pati takim me Kryeministrin e Rumanisë Raduvasile dhe me kryetarin e opozitës rumune Iljesku.

Gjatë ditëve të qëndrimit presidenti shqiptar Mejdani vendosi një kurore me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur si dhe mbolli pemën e miqësisë në kopshtin e Pallatit Presidencial. Presidenti Mejdani sot u kthye në Tiranë/tvklan.al

Gazetar – Ardian Faja