Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetarja: Zoti Berisha, ju keni qenë prezent në Asamblenë e Këshillit të Europës në Strasburg, kur kjo asamble ka miratuar një rezolutë për Shqipërinë, ku është vendosur si kusht për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar, ecuria e zgjedhjeve të ardhshme. Mendoni se kjo do të ketë një ndikim për zgjedhjet e 2005 dhe çdo të thotë për Shqipërinë?

Sali Berisha: “Për herë të parë, në historinë e këtij institucioni, një vendi i thuhet qartë, që meqenëse nuk ke bërë zgjedhje të lira dhe ke humbur zgjedhje të lira, në rast se zgjedhjet e ardhshme nuk janë të lira e të ndershme, kredencialet e përfaqësuesve tuaj, do të rikonsiderohen, pra Shqipëria do të përjashtohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Pse erdhi një qëndrim i tillë? Një qëndrim i tillë erdhi së pari nga bindja e thellë, paneuropiane, se Fatos Nano nuk pranon rotacionin e pushtetit, nuk pranon vullnetin e zgjedhësve të tij dhe se Shqipëria ka mbetur njollë e zezë apo delja e zezë e Ballkanit përsa u përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra vërtetë asambleja votoi në mosbesim të plotë ndaj Fatos Nanos, sepse në të kundërt mund të thoshe që këtë deklaratë do ta bëjmë pas zgjedhjeve, por deklarata u bë shumë muaj para zgjedhjeve, pasi Fatos Nano ka faktuar që nuk pranon votën e lirë. Kjo rezolutë, ky ligj i Parlamentit të Strasburgut është një apel, një kushtrim për të gjithë shqiptarët që të bëjnë çdo përpjekje për të mos u ndëshkuar vendi i tyre nga një i ri që për hir të pushtetit bllokon zgjedhjet. Së dyti, një specifikë shumë tronditëse ishte fakti, se për herë të parë në këtë asamble, dy grupe parlamentare, kur u diskutua rezoluta për Shqipërinë dhe raporti për Shqipërinë nuk morën fjalën, ky ishte grupi i socialistëve europian dhe grupi i të majtëve të bashkuar europian. Si rregull në parlament të gjitha grupet parlamentare shprehen, por socialistët europian me heshtjen e tyre miratuan tërësish amendamentin dhe rezolutën dhe i dërguan një paralajmërim edhe më të hidhur Fatos Nanos, me qëndrimin e tyre të palëkundur, për ta denoncuar dhe për ta dërguar atë në aurën e Strasburgut. Së treti, dua të theksojë se, ky amendament u miratua në komisionin e monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që kryesohet nga një socialiste, së katërti, përpjekja që bëri përfaqësuesi i socialistëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare për ta modifikuar këtë amendament me një nënamendament oral, këtë ligj me një ligj, dështoi në një mënyrë spektakolare, pasi sipas procedurës duhet të ngriheshin në këmbë 8 vetë, u ngrit e gjithë salla në këmbë kundër Petro Koçit. Tani, ky ishte amendamenti, por të them të vërtetën, në këtë linjë totale ishte rezoluta nën për nen të saj dhe ishte raporti i monitorëve, madje mund të them, se kjo rezolutë përmban kushte të reja për Shqipërinë që nuk kanë ekzistuar më parë. Një nga këto kushte është thotë, që të hetohet origjina e parave të investuara në Shqipëri se sa prej tyre vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiqet ilegale, në qoftë se marrim raportin e BE dhe raportin që paraqiti Këshilli i Europës, janë si një ikë uji e ndarë më dysh. Qeveritarët shqiptarë, në vend që të punojnë për të zbatuar detyrimet që kanë marrë nga KE, kërkojnë ndërprerjen e monitorimit, për të mos thënë pastaj disa sjellje që më treguan mua shumë nga parlamentarët të cilët i kanë bërë të famshëm ministrat, se janë sjellë jashtëzakonisht keq dhe me përfaqësues të KE dhe BE …”

Gazetarja: “Disa nga aleatët e PD zoti Berisha, kanë deklaruar publikisht dhe ju kanë kërkuar publikisht, që në rast se Fatos Nano do të vazhdojë të jetë kryeministër, opozita duhet të bojkotojë zgjedhjet e 2005. Mendoni për një veprim të tillë dhe mos ka dhe kjo anën negative të saj, bojkotin?

Sali Berisha: “Unë sapo u ndava me ambasadorin e SHBA James Jeffrey dhe pata me të një bisedë miqësore dhe shumë të hapur. Absolutisht ambasadori i SHBA ndante me mua të njëjtin mendim, se zgjedhjet e lira janë vendimtare për këtë vend dhe se nuk ka anëtarësim në NATO, pa zgjedhje të lira dhe se këtë ua ka bërë të qartë si kristali të gjitha autoriteteve shqiptare. Unë mendoj se lëvizja “Nano ik”, pavarësish se ka disa analistë ose dhe disa politikanë që e vlerësojnë vetëm nga një aspekt, por në qoftë se e vlerësojmë në tërësinë e saj dhe unë duhet t’u rikujtoj këtyre aleatëve të mijë, se kemi deklaruar se do të jetë protestë, se do të jetë betejë parlamentare, se do të jetë betejë ndërkombëtare, por unë mendoj se është arritur një ridimensionim i jashtëzakonshëm i kërkesave të kësaj lëvizje, ndaj dhe ne duhet të vazhdojmë lëvizjen “Nano ik”, sepse Fatos Nano nuk ka ndërmend që të çedojë, por edhe ne në mënyrë absolute jemi sot më të vendosur se kurrë, sepse nuk do të pranojmë ne që të ndëshkohen shqiptarët për hirë të një klani mafioz që vjedhin çdo ditë …”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego