Infeksionet e ndryshme në hundë apo ne vesh shpesh kërkojnë që pacientët të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tek specialisti. Mjekja Otorinolaringologe Klodiana Zaharia flet për rastet më të shpeshta që për shkak të vështirësive në aspektin shëndetësor pacientët i nënshtrohen ndërhyrjeve.
Klodiana Zaharia: Interventi konsiston në çlirimin e hapësirave të zëna mekanikisht nga këto struktura, nga perdja e hundës apo ndonjë tumor i huaj belinje ose malinje. Mishi i huaj në vesh, polipet e kanalit, polipet e veshit të mesëm, plastikat e daulles së veshit në rastet e pacientëve që kanë vuajtur me vite nga rrjedhja. Kemi plastifikim të daulles së veshit, pastaj kemi operacione të tjera të ndërhyrjes në zinxhirin kockor.
Megjithatë për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale dhe modeleve që u serviren në to, moshat e reja priren për të kryer edhe ndërhyrje estetike në vesh e hundë për t’u dukur perfekt.
Klodiana Zaharia: Operacioni i dytë më i kërkuar në botë, plastika e hundës. Që do të thotë ndërhyrja në zvogëlim apo te forma e hundës. Menjëherë pas saj renditet zvogëlimi dhe afrimi i veshëve me kokën. Mosha më e re që kërkon ndërhyrje estetike, që nuk do që milimetri mos t’i lëvizë në buzë, në hundë, në vesh…Pragu më i ulët i ndërhyrjes është 17 vjeç te vajzat dhe 18 te djemtë.
Specialistët shprehen se disa ndërhyrje estetike mund të zhbëhen, ndërsa në rastin e hundës dhe veshëve, nuk ka më rikthim në gjendjen fillestare.
Klodiana Zaharia: Operacionet plastike të hundës dhe veshit janë të pakthyeshëm. Çdo lloj trajtimi tjetër që mund të bëjmë, me filler, me botoks janë të kthyeshëm, pra nëse e sheh efektin për një vit ose 6 muaj, ti nuk e pëlqen.
10 vitet e fundit ka edhe shumë raste pacientësh sipas specialistëve që ribëjnë disa herë të njëjtën ndërhyrje për shkak të rezultatit jo të duhur, apo kur kërkojnë një pamje gjithnjë e më perfekte.
Klan News