Muzikë e lartë, errësirë që përthyhet nga disa drita herë të zbehta e herë vezulluese, pije shumëngjyrëshe në tavolinë, djem të rinj të veshur për merak dhe vajza të grimuara, të gjithë duke kërcyer. Kjo është panorama që mund të gjesh në lokalet e klubet e natës të mbushura me të rinj që duket se argëtohen, por çfarë fshihet në skutat e errëta, në thonjtë e lyer ku qëndron një cigare apo në gotat që ngrihen me fund?

Të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” e pranojnë haptazi se përveç miqve, punëve vullnetare, librit a ndonjë sporti, një nga argëtimet kryesore janë klubet e natës që për prindërit simbolizojnë shqetësim. Për të mësuar se çfarë ndodh në këto dalje dhe për të qetësuar disi të rriturit për sigurinë e fëmijëve, moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea i pyeti të rinjtë nëse ka diçka më tepër pas kujdesit për t’u dukur bukur.

Ilda mori fjalën për të treguar një të vërtetë jo dhe aq të këndshme, nga e cila moderatori mori shkas për të ngritur një problem dhe paralajmëruar prindërit e të rinjtë.

Ilda: Kur dalim në këto vende që ju sapo thatë, target grupi që ne synojmë, po fus edhe veten këtu për të mos u bërë unë po dhe ata jo, është që target grupi që ne synojmë për të tërhequr këtë vëmendje, nuk është asnjëherë nga moshatarët. Pra vëmendja që kërkojmë nga moshatarët është një vëmendje ndryshe, është ajo vëmendja unë mësoj më shumë se ti, kurse vëmendja që kërkojmë nga 25-30 vjeçarët ose vjeçaret, është një vëmendje tjetër.

Ardit Gjebrea: Për çfarë të duhet kjo vëmendje?

Ilda: Është një lloj aprovimi që ne përmendëm që është i nevojshëm që nuk e di pse, akoma as unë nuk e di përgjigjen, por është një lloj aprovimi që neve na duhet ta marrim nga ata që janë më të rritur, të ndihemi si më të rritur.

Ardit Gjebrea: Më fal kjo është vëmendje vetëm vizive.

Ilda: Është vëmendje vizive.

Ardit Gjebrea: Është e rëndësishme vëmendja vizive?

Ilda: Është shumë e rëndësishme, ne duhet të jemi realë, le ta themi këtë të vërtetë jo kaq të tmerrshme mendoj unë sepse është e rëndësishme që edhe dukja që ti të jesh prepotent, pse jo, edhe kur të shfaqesh në një vend pse të dukesh keq, nuk ka ndonjë gjë të keqe por është një e vërtetë e madhe dhe neve na duket vetja gra ose më të rritura kur vishemi në një formë të caktuar dhe dalim në ato klabet, pra nuk është vëmendja që kërkojmë nga moshatarët.

Ardit Gjebrea: E keni këtë vëmendje? Ia mbërrini qëllimit?

Ilda: Patjetër që po.

Ardit Gjebrea: Për çfarë moshe po flasim, Ilda?

Ilda: Po flasim për një vajzë 17,18 që del në klab dhe synohet të ngacmohet nga një 25 ose 30 vjeçar.

Ardit Gjebrea: Dhe shkon enkas për ta bërë këtë gjë?

Ilda: Patjetër që po.

Ardit Gjebrea: Ky është një shqetësim dhe unë nuk e them kot. E them nga kamarierë që u bën përshtypje, e them nga menaxherë baresh të cilët punojnë në një bar ku ndodh kjo gjëja dhe kjo ndodh për bukën e gojës dhe mbyllin gojën dhe nuk e denoncojnë, edhe raste të cilat janë shumë të rënda. Po ngremë një problem ku vajza 16, 17 vjeç tejkalojnë masën e të dukurit dhe shkojnë për të rënë në sy dhe shkojnë për të rënë në sy e ka ndodhur që janë futur edhe në makina pas kësaj gjëje, me njerëz të panjohur. Unë po ngre një shqetësim dhe nuk do të doja ta thoja, do të doja ta thonit ju këtë gjë por unë po e them për të denoncuar një shqetësim që ma kanë thënë, prandaj edhe unë doja ta dëgjoja nga ju këtë gjë dhe të alertoj brezin tuaj dhe prindërit tuaj që të jenë të kujdesshëm të gjithë, të bashkohemi për këtë qëllim dhe të mos biem pre e disa grabitqarëve të cilët përfitojnë për momentin dhe pastaj ju flakin në rrugë dhe për ju është tepër vonë pasi ka ndodhur ndonjë gjë e papëlqyer.