Që prej ditës së djeshme buketës së Radiotelevizionit 21 në Amerikë i bashkëngjitet edhe TV Klan.
Buketa e Radiotelevizionit 21 dhe TV Klan do t’i sjellë shije të re shikuesit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një kanal informacionesh e programesh të larmishme nga bota shqiptare që do të transmetohet përmes platformës “Globkast”.
Është kjo buketa më profesionale që i ofrohet shikuesit shqiptar të përtej Atlantikut, e cila së shpejti do të pasurohet edhe në kanale të tjera.
Platforma e “Globkastit” në Amerikën Veriore është një nga platformat më të mëdha satelitore.
Në të transmetohen me qindra buketa programesh të vendeve të ndryshme të botës, të cilat kanë një shikueshmëri të lartë.
Buketa shqiptare në platformën e “Globkastit” ekziston që prej gjashtë vitesh dhe ka krijuar edhe shikuesit e saj nga mbarë bota shqiptare në Amerikën Veriore.
Televizioni Kombëtar Klan i është bashkëngjitur kësaj bukete së bashku me Radiotelevizionin 21 nga Kosova duke e pasuruar atë dhe duke u dhënë mundësi bashkëkombësve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të njihen në kohë reale me zhvillimet në hapësirat shqiptare, të ndjekin programet sociale dhe kulturore shqiptare duke i afruar me vendlindjen dhe të gjitha zhvillimet që vijnë prej andej.
Radiotelevizioni 21 transmeton prej gjashtë vitesh në këtë paketë, ndërkohë që TV Klan i sjell kësaj pakete risi dhe si një kanal i ri një qasje profesionale dhe cilësore të botës shqiptare dhe Shqipërisë.
Buketës shqiptare të platformës së “Globkastit” shumë shpejt do t’i bashkohen dhe dy kanale të tjera në gjuhën shqipe duke e pasuruar edhe më shumë atë./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo