Mes spektaklit dhe ekskluzivisht në ekranin e TV Klan mori jetë në Mynih edicioni i 17-të i Kampionatit Europian 2024.
I jashtëzakonshëm ishte edhe takimi hapës mes Gjermanisë dhe Skocisë, përfunduar me fitoren komode të vendasve me shifrat e thella 5-1. Dominim total nga ana e skuadrës së Julian Nagelsmann, i cili i besoi eksperiencës dhe talentit për të regjistruar triumfin e 28-të në Kampionatin Europian.
Me moshën 29-vjeç e 22 ditë, Gjermania kishte formacionin e dytë më të vjetër titullarë përdorur në kompeticionet më të mëdha të futbollit. Për të 35-ën herë në fushë zbriti edhe Manuel Neuer, për të mbetur vetëm pas Paolo Maldinit me 36 dhe Cristiano Ronaldo që ka 43 paraqitje mes Europianit dhe Botërorit. Një sukses i arritur që në pjesën e parë, me gjermanët që shënuan 3 herë për të parën herë në një takim të këtij niveli.
Florian Wirtz u bë gjermani i tretë që shënon golin e parë në ndeshjen hapëse të Europianit, pas Gerd Muller në 1972 dhe Karl Heinz Rummenigger në 1980. Në moshën 21 vjeç e 42 ditë, ai u bë edhe lojtari më i ri që shënon për Gjermaninë në fazën finale të kompeticionit.
Për të dyfishuar mendoi Musjala, që u tregua i saktë nga shumë pranë portës. Fundi i pjesës së parë ishte vërtetë i hidhur për skocezët. Mbetja me 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq, por edhe penallti në favor të tre herë kampionëve të kontinentit thelluan shifrat në kahun gjerman.
Havertz u tregua i saktë për t’i dërguar ekipet në avantazhin 3-0. Në fraksionin e dytë, Nagelsman aktivizoi nga stoli Myler dhe Fullkrug, me këtë të fundit që gjeti edhe golin, për të thelluar në 4-0 shifrat dhe vulosur fitoren e gjermanëve. Në limitet e kohës së rregullt, Skocia shmangu turpërimin e thellë, duke shënuar golin për të ngushtuar shifrat në 4-1.
Për të mbyllur llogaritë mendoi Emre Çan, i cili shënoi edhe golin e pestë për gjermanët. Përballja e radhës për Gjermaninë kryesuese të grupit A është ajo ndaj Hungarisë, ndërsa Skocezët sfidojnë Zvicrën.
Klan News