Me debate të shumta mes të pandehurve, avokatëve të tyre dhe prokurorit të çështjes është zhvilluar seanca gjyqësore për dosjen “Sterilizimi”. Të akuzuarit mohuan pretendimet e prokurorisë së posaçme, teksa kërkuan pushimin e çështjes ose kthimin e dosjes për hetime në SPAK. Këta të fundit nga ana tjetër kërkuan që dosja të dërgohet për gjykim, me argumentin se kane prova për të mbështetur akuzat ndaj të pandehurve.
Në rast se dosja do të kalojë në gjyq, të pandehurit përveç Ilir Beqajt i cili kërkoi të ndiqet gjykimi i zakonshëm, kërkuan të ndiqen me gjykim të shkurtuar.
Përfaqësuesit e SPAK në Gjykatë thanë se nëse pranojnë gjykimin e shkurtuar të të gjithëve, atëherë sugjerojnë ndarjen e çështjes, pra ish-ministri Beqaj të gjykohet veçmas nga 8 të akuzuarit e tjerë.
Në seancën gjyqësore që zgjati për disa orë me radhë, biznesmeni Ilir Rrapaj mohoi akuzat e prokurorisë, por pranoi njohjen me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Vijimi i seancës në të cilin pritet të ketë dhe një vendim nga Gjykata e Posaçme, do të shpallet në fund të dhjetorit.
Ish-ministri Beqaj, por dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për disa vepra penale, si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim, mos deklarim dhe fshehje të pasurisë.
Klan News