Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në batalionin e mekanizuar në Laç u zhvillua ceremonia e hapjes zyrtare të stërvitjes “Cornerstone 2001”. Me këtë rast të pranishëm këtu ishin dhe Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, Ministri i Mbrojtjes Ismail Lleshi, Ambasadori amerikan Limpreht, si dhe ambasadorë dhe disa nga atashetë ushtarakë në Republikën e Shqipërisë.

“Cornerstone 2001”, ka për synim mbështetjen dhe ndihmën në operacionet humanitare dhe vepron në kuadrin e brigadës së Europës Juglindore, e cila bën të mundur sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të këtij rajoni. Një nga detyrat kryesore të kësaj stërvitje është dhe ndërtimi i një rruge 2.7 kilometra e gjatë, e cila do të ndërtohet përgjatë basenit të lumit të Matit.

Rreth 400 trupa ushtarake xheniere nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, si dhe një kompani xheniere nga SHBA, deri në datën 31 Korrik 2001, do të bëjnë të mundur përfundimin e këtij aksi rrugor, e cila lidh Shqipërinë Qendrore me Qafën e Morinës./tvklan.al