Një prind nga Peshkopia solli në redaksinë e “Stop” shqetësimin për mungesën e stomatologut të shkollës. Ajo tregon se fëmija i saj nuk e ka parë ndonjëherë mjekun stomatolog dhe çdo shërbim është detyruar ta bëjë në privat.
Denoncuesja: Unë vij nga qyteti i Peshkopisë, kam ardhur tek redaksia juaj sepse kemi një problem për sa i përket shkollës ku unë kam dy fëmijë. Ky është një problem që nuk e kam vetëm unë, jemi shumë prindër që e kemi këtë problem, por jo të gjithë e ngrenë zërin. Në shkollën ku kam 2 fëmijët, në shkollën 9 vjeçare pretendohet që ka stomatologë, por realisht nuk e shikojmë asnjë herë sepse të gjitha problemet që kanë fëmijët ne detyrohemi që të shkojmë t’i bëjmë tek privati. Në kohën tonë stomatologu ka qenë, të gjitha nevojat që ne kishim na i ofronte shkolla falas pa pagesë, ndërsa sot që pretendohet të kemi një mirëqenie më të mirë detyrohemi që t’i marrim fëmijët dhe t’i çojmë tek privati, kur realisht na thuhet që ka stomatologë, duhet të ketë.
Gazetarja: Ka prezencën e ndonjë mjeku apo infermieri në ambientet e shkollës?
Denoncuesja: Në shkollën ku unë kam fëmijët nuk ka, nuk e di nëpër shkollat e tjera nëse ka ndonjë mjek të përgjithshëm a ndonjë infermier këtë nuk mund ta them me siguri, por në shkollën ku unë kam dy fëmijët nuk ka as mjek, as infermier dhe as stomatolog.
“Stop” shkoi në shkollën 9 vjeçare “Demir Gashi”, dhe pas kërkimit gjetëm doktoreshë Sonjën. Kjo e fundit tha se i bën të gjitha në klinikë ndërsa mungesën e justifikoi me depistimet në shkollat e tjera.
Gazetarja: Ju i keni të gjitha pajisjet, mjetet e punës që iu duhen?
Stomatologia, Sonja: Po ka një vit. Është bërë një klinikë, kemi pak problem me dritat e shkollës. Bie herë pas here nga ngarkesa. Për pjesën e mungesës, unë kryej depistime që duhen kryer në mënyrë të rregullt në çdo shkollë të qytetit.
Gazetarja: Në cilën shkollë ishit sot?
Stomatologia, Sonja: Sot jam nisur për në shkollën Dobrovë. Në kohën kur nuk kam qenë, kam qenë në shkollën “Selim Alliu”, tek shkolla Kamen që kam kryer depistime dhe në shkolla që i kryejmë dhe në formën e depistimeve dhe të vizitave.
Gazetarja: Kur është bërë kontrolli në klasën e katërt në këtë shkollë?
Stomatologia, Sonja: I kemi të dokumentuara atë javë që janë bërë vizitat nëpër kartela, ditën që është bërë.
Gazetarja: A ke sot doktoresha ndonjë pacient, që vjen nga ndonjë shkollë dhe që merr shërbimin këtu?
Stomatologia, Sonja: Varet, po kam lënë ca. Megjithëse varet i lëmë me orare.
Gazetarja: Po sot ke planifikuar ndonjë kontroll nëpër klasa, ndonjë gjë?
Stomatologia, Sonja: Po isha nisur për në Dobrovë.
Gazetarja: Fëmija im ka një shqetësim me dhëmbët, a duhet të ketë një orar se kur duhet të vijë doktoresha këtu, ku do të jetë dentistja këtu?
Stomatologia, Sonja: Shiko është lehtësisht e mësueshme, sepse është një roje aty që të informon pak a shumë se këto gjëra merren vesh, këtu jemi.
Sonja, mjekja stomatologe mbulon 4 shkollat 9-vjeçare në Peshkopi, por në këto shkolla nxënësit nuk e njohin stomatologen, pasi thonë se nuk e kanë parë kurrë.
Gazetarja: Keni qenë ndonjëherë këtu tek dentisti i shkollës?
Fëmijët: Jo.
Gazetarja: E njihni?
Fëmijët: Jo!
Gazetarja: A e njihni dentistin?
Djali: Dentistin?! Nuk ka dentist shkolla.
Nga ana tjetër,drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Dibër, Anisa Xhika pranoi se nëse stomatologia bën kontrolle tek fëmijët, nuk ka logjikë që të mos e njohin.
Gazetarja: Si ka mundësi që nuk e njohin?
Anisa Xhika: Kë nuk njohin stomatologen?
Gazetarja: Po.
Anisa Xhika: Tani më vjen keq realisht.
Gazetarja: A është normale, a ka logjikë që mos të njihet stomatologia?
Anisa Xhika: Nuk është normale. Nuk pajtohem me këtë gjë, që është normale.
“Stop” bëri edhe një vëzhgim në kryeqytet, ku në ndryshim nga Peshkopia, që ka vetëm një stomatolog konstatuam shkolla me mjek dhe stomatolog, apo me stomatolog dhe pa asnjë staf mjekësor.
Qytetarja: A keni stomatologë këtu?
Roja: Kemi stomatologe. Ka ardhur më.
Qytetarja: Ça ore ikën stomatologu?
Roja: Kur kanë orën. Kur ikën shkolla.
“Stop” konstatoi shkolla që kanë një mjek të përgjithshëm dhe një stomatolog.
Mësuese: Po ka mjek, ka edhe stomatolog.
Qytetarja: Në shkollën tuaj janë të tre?
Drejtoresha: Jo, vetëm një mjek është.
Qytetarja: Është vetëm mjekja. Mjekja vjen..
Drejtoresha: Mjekja 3 herë në javë.
Qytetarja: Është me grafik, domethënë.
Drejtoresha: Po! Kemi shërbimin e mjekut, nuk kemi as infermier, as stomatolog.
Qytetarja: Të lutem, të të pyes! Mjeku ka ardhur gjë?
Roja: Po, brenda është.
Qytetarja: Janë brenda. Jo thjesht duhet të lë orarin. Aktualisht janë brenda?
Roja: Janë, po!
Qytetarja: Mjeku..?
Roja: Mjeku dhe ajo tjetra.
Qytetarja: Janë aty.
Roja: Po!
Por gjithashtu ka shkolla të sistemit parauniversitar që nuk kanë as mjek, as stomatolog dhe as infermier.
Qytetarja: Aktualisht në shkollën tuaj janë që të tre?
Drejtoresha: Asnjëri! Për momentin, asnjëri!
Drejtoresha: Jo, nuk kemi. Ndoshta nga numri i vogël i nxënësve, nuk e di, është edhe shkollë e re, po mua, që të më vijë këtu një infermiere, një mjeke apo një stomatologe, nuk kemi.
Alfiora Fortuzi nga Drejtoria e Optimizmit në Operatorin e Kujdesit Shëndetësor thotë që nga njësitë e kujdesit, mbulohet shërbimi për institucionet publike me grafik në bazë të ngarkesës që kanë institucionet arsimore.
Gazetarja: Në institucionet arsimore kemi prezencën e mjekut, infermierit dhe stomatologut apo ka një ndarje mes qyteteve të tjera dhe kryeqytetit?
Alfiora Fortuzi: Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar mbulimin e shërbimit në të gjitha rajonet, bazuar dhe në fluksin dhe ngarkesës që ka secili institucion publik me stafe mjekësore, infermier, stomatolog, mjek.
Gazetarja: Në fakt kemi institucione të cilat pranojnë se nuk kemi as mjek, as infermier dhe as stomatolog.
Alfiora Fortuzi: Janë njësitë vendore të cilat përcjellin kërkesën pranë DROKSH-ve rajonale, dhe secili DROKSH rajonal përcjell kërkesën për në Operatori Qendror dhe shpallen vendet vakante. Aty ku janë kabinetet dentare është i detyrueshëm që ta mbulojë shërbimin, sepse park këtë arsye janë ndërtuar dhe për këtë arsye janë. Ne kemi 36 njësi vendore dhe në secilën nga këto njësi vendore mban përgjegjësi shërbimi parësor, pra kemi specialistë të shërbimit parësor, kemi shërbimin stomatologjik siç është në Tiranë dhe të gjithë këta janë që monitorojnë të gjitha shërbimet që ofrohen në institucionet publike. Në rastet se një mjek stomatolog, një infermier apo një mjek që ka marrë përsipër të mbulojë shërbimin pranë një institucioni publik dhe nuk paraqitet sipas grafikut që ka raportuar dhe ka dhënë pranë njësisë vendore atëherë do të merren masat e nevojshme, për t;u ndëshkuar për mosmbulimin e shërbimit./tvklan.al