Ligji i 2015, mjeti i duhur për të zgjidhur problemin

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg certifikoi Ligjin për Trajtimin e Pronës, të miratuar në vitin 2015, si skemën e duhur për kompensimin e ish-pronarëve.

Me një vendim unanim ajo vendosi ta shpallë të papranueshme padinë e njohur si “Beshiri K.” dhe 11 të tjerë kundër Shqipërisë”, të cilët ishin ankuar për zgjatjen e zbatimit të vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë komunizmit.

Gjykata njoftoi se e konsideron Ligjin e Pronës 2015, si një mjet efikas për kompensimin.

Për këtë arsye ajo u kërkoi ish-pronarëve që kanë aplikuar për kompensim, që të përdorin këtë mjet nëse kërkesat e tyre për kompensim ishin bërë edhe përpara se ligji të hynte në fuqi.

Përsa i përket efektit prapaveprues të ligjit, Gjykata e Strasburgut sqaron se ky efekt ka një justifikim të qartë të përdorimit për interes publik.

Gjykata u shpreh se aplikuesit, për të marrë kompensimin nuk i kishin shteruar mjetet e brendshme për ta përfituar atë dhe se ata nuk mund të pretendonin më se ishin viktima të shkeljes së të drejtave të tyre.

Ajo vlerësoi se, duke pasur parasysh se Ligji i Pronës 2015 u siguroi aplikantëve një të drejtë nëpërmjet një mjeti efektiv që ata e marrin kompensim të plotë, pretendimi i tyre për mos zbatimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit ishte dukshëm i pabazuar dhe duhej të refuzohej.

Megjithatë Strasburgu vlerësoi se në disa raste, kompensimi i pronës është me këtë ligj është ndjeshëm më i ulët se me ligjin e vjetër, prandaj rekomandon se me skemën aktuale, kompensimi nuk duhet të jetë më i ulët se 10% e vlerës aktuale që ka prona në treg.

Sipas skemës që përcaktohet në ligjin e vitit 2015, kompensimi duhet bëhet në bazë të vlerës që ka patur toka në momentin që është shpronësuar nga shteti, në vitet 1940-1950 dhe në bazë të statusit që ka patur prona në atë periudhë. Nëse sot një tokë është truall dhe më parë ka qenë bujqësore, ajo kompensohet me statusin tokë bujqësore.

Pala paditëse e nisi betejën ligjore që në vitin 2006 dhe kërkonte nga Gjykata e Strasburgut që të përcaktonte një vlerë monetare për kompensimin.

Në bazë të llogaritjeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave fatura për kompensimin financiar e fizik të pronave me ligjin aktual kap shifrën e 600 milionë eurove, ndërsa ish-pronarët pretendojnë kompensim për një vlerë prej 4.9 miliardë eurosh.

Tv Klan