Strasburgu është në shtetrrethim. Masat e sigurisë në qytetin francez janë tepër të rrepta, ndërsa të gjithë liderët botërorë janë mbledhur në ditën e dytë të samitit të 60-vjetorit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në orët e para të mëngjesit, u regjistruan disa përleshje të ashpra mes policisë dhe qindra protestuesve të veshur me të zeza.
Ata janë zotuar se do të shqetësojnë në maksimum liderët botërorë me anë të akteve të dhunës duke sfiduar forcat e rendit.
Policia lëshoi gaz lotsjellës drejt një prej grupeve në periferi të Strasburgut. Një protestues anti-globalist u plagos dhe u dërgua me ambulancë në spital.
Masa të forta të sigurisë shihen edhe në urën e Evropës, në vendin ku Franca dhe Gjermania do t’i shtrëngojnë simbolikisht dorën njëri tjetrit në kujtim të krijimit të Aleancës, që kishte një objektiv, të mbronte kufijtë e Evropës.
Të dyja kombet kanë mobilizuar 15 mijë forca policie dhe ushtarake në një operacion që ka arritur në shumën e 110 milionë eurove./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle