Qytetarët e Korçës e kanë pritur me një ceremoni të veçantë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Prefektura e Korçës e ka nisur me ekzekutimin e himnit kombëtar festimet e organizuara me këtë rast.
Sipas prefektes Elfrida Zefi anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një eveniment që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit sa i përket sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Elfrida Zefi: “NATO ka ndihmuar t’i jepej fund konflikteve në Bosnje, në Kosovë apo luftës civile në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ndaj sot siguria e NATO-s ruan vlerat e përbashkëta të Aleancës”.
Ajo që ka rënë në sy në këtë aktivitet ka qenë mungesa e kryetarit të bashkisë dhe forcave të majta, të cilat nuk I janë përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në festimet lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por megjithatë festimet kanë vijuar me një koncert të fëmijëve të qendrës kulturore dhe të tjera aktivitete.
Atmosferë festive është ndjerë sot edhe në qytete të tjera të vendit. Në Durrës, rrugët kryesore dhe fasadat e ndërtesave të qendrës janë zbukuruar me flamuj shqiptarë dhe të NATO-s.
Qytetarët e kanë konsideruar 4 Prillin si një ditë të veçantë për historinë e vendit.
“Na janë hapur sytë, do ecim përpara, s’ka gjë më të mirë”.
“Ndihemi shumë mirë. Shumë mirë që Shqipëria u fut në NATO. Duam ta festojmë nesër në Tiranë. Të shohim si do shkojë”.
“Çdo gjë që është në interes të vendit ajo është gjë e mirë, të tjerat pastaj…”.
Edhe në Fier hyrja e Shqipërisë në NATO shihet si një mundësi e mirë për rritjen e mirëqenies dhe afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.
“Jemi të vlerësuar për arsye se kemi filluar t’i përshtatemi Bashkimit Evropian në të gjitha drejtimet.”
“Nuk kanë rëndësi parullat, pankartat, rëndësi ka se liria të jetë e skalitur në zemër apo në mendje dhe për të gjithë popullin shqiptar kjo është një ditë e shënuar”.
Festimet me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut janë planifikuar përgjatë gjithë ditës së sotme dhe të nesërme në qytetet kryesore të vendit./tvklan.al