Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Nënkryetari republikan Neritan Alibali, shprehu shqetësimin e partisë për kritikat në rritje të ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë për rolin që luan ajo në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e trafikut me administratën e korruptuar në vend.
Sipas republikanëve, çdo masë administrative e ndërmarrë deri më sot për të luftuar trafiqet e jashtëligjshme dhe krimin e organizuar ka dështuar. Për këtë arsye, republikanët propozojnë hartimin e një strategjie afatgjatë, për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet jashtëligjshme në vend.
Neritan Alibali:- “Marrjen e masave të menjëhershme, për spastrimin e radhëve të policisë dhe strukturave përkatëse nga njerëzit e inkriminuar dhe të përfshirë në trafiqe. Reformë dhe masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin në administratën e lartë të shtetit. Partia Republikane shpreh bindjen, se nëse politika shqiptare nuk shkëputet nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, asnjë ligj dhe asnjë masë e marrë nga strukturat përkatëse, nuk mund ta çlirojë Shqipërinë nga pushtimi i bandave të krimit të organizuar”./tvklan.al