Këtë vit studentët e Mjekësisë do të ndjekin studimet universitare pa kontratën detyruese për të punuar në Shqipëri në përfundim të studimeve. Rektori i sapoemëruar në krye të Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, në një interviste për Tv Klan tha se mësimdhënia do të zbatohet brenda ligjeve aktuale akademike, kjo pasi ndryshimet ligjore të rekomanduara nga Gjykata Kushtetuese nuk janë miratuar ende.
“Ne mbështesim mundësitë e karrierës për studentët, mësimdhënia zbatohet brenda ligjeve akademike dhe administrative dhe që nuk ka ndryshim të kohëve të fundit”.
Janë 1624 maturantë që kanë rezultuar fitues në Universitetin e Mjekësisë. Nga viti 2019 kuotat për mjekësinë pothuajse janë dyfishuar, një trend që sipas Draçinit do të vijojë edhe në vitet në vijim, për t’ju përshtatur nevojave të mëdha të tregut për bluzat e bardha.
“Universiteti i Mjekësisë ndjek me vëmendje dinamikat e sistemit shëndetësor për t’ju përgjigjur nevojave të tij. Nevoja për mjekë sot është edhe ne nivel global. Dhe deri në 2030 janë 40 mln vende në të gjithë sistemin shëndetësor në botë që kërkojnë rinovim, natyrisht edhe ne i jemi përgjigjur që në vitin 2019 me një rritje progresive të numrit të kuotave. Ne synim kemi rritjen e numrit të kuotave, por kjo tashmë edhe me ndërtimin e një kampusi të ri”.
Niveli i nxënësve që kanë zgjedhur Mjekësinë arrin në një notë mesatare 9.7, për të cilën Draçini thotë se tregon edhe nivelin e bluzave të bardha në vijim. Të gjithë fituesit do të kenë mundësi që nga 30 gusht deri në 13 shtator të regjistrohen në faza 48 orëshe.
Tv Klan