Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Mendonin se do të diplomoheshin për shkenca politike, por vetëm pak ditë përpara se të mbronin diplomën, 29 studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale kanë mësuar, se në dokumentin e diplomës do të njiheshin si filozofë. Studentët kanë vendosur sot të bojkotojnë provimin e diplomës, duke mos pranuar që në diplomë t’u shkruhet, diplomohen për Filozofi, pasi për katër jet rresht, ata kanë studiuar për Shkenca Politike.
Përpara katër vjetësh Ministria e Arsimit miratoi për herë të parë hapjen e një kursi studimi për specialistë shkencave politike, pranë departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe kjo derisa të ngrihej një departament i veçantë për degën e Shkencave Sociale, por edhe pas katër vjetësh ky departament koma nuk është ngritur dhe kjo për shkak të burokracive të Ministrisë së Arsimit.
Studentja: “Meqenëse ne nuk paskemi departament më vete, ne do quhemi, sikur jemi profil i Shkencave Politike dhe tek diploma ne do shkruhemi, filan student do ketë titullin Specialist i Shkencave Politike dhe thotë, dega Filozofi-Sociologji, profili Shkenca Politike. Kjo është absurde, sepse një degë e tillë nuk e gjen në asnjë vend të botës”.
Studenti: “Ne kemi bërë katër vjet shkollë, si degë e Shkencave Politike, tashmë na thuhet, nga Rektorati, ose nga Ministria e Arsimit, se ne nuk jemi degë e Shkencave Politike, por thjesht profil dhe futemi tek dega e Filozofisë-Sociologjisë. Pra ndryshe nga ç’kemi mësuar e ç’kemi studiuar, ne do të dalim filozof, ndërkohë që ne jemi studiues të Shkencave Politike dhe ne nuk mundemi të pranojmë të diplomohemi për diçka që nuk e kemi bërë fare leksione”.
Por e gjithë kjo bie në kurrizin e studentëve, që nëse në diplomë do t’u shkruhet, Diplomohen për Filozofi, atëherë këto katër vite shkollë nuk do t’u hyjnë në punë për asgjë për gjatë gjithë jetës./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka