Thirrjet janë të përsëritura dhe kërkesat po ashtu. Refuzimi i vizës nga Ambasada Italiane për më shumë se 150 studentë kanë shuar mundësinë e të studiuarit jashtë vendit. Kjo ndodh pas gati 3 muajve përgatitje, dokumentacioni e interesimi për vendin fqinj. Autoritetet e Ambasadës Italiane nuk kanë dhënë sqarime për shtypin, ndërsa studentëve, arsyeja e mosdhënies së vizës, iu është komunikuar nga një fletëpalosje për njohje jo të mira të gjuhës italiane.

Gazetarja: “Mund të jetë e vërtetë se edhe ju mund të mos keni qenë i përgatitur shumë mirë në italisht?”

“Përkundrazi, ai 5 minuta bëri pyetje, ku më dalloi mua që nuk flas mirë italisht.”

“Unë e di italishten, sepse unë kam marrë edhe diplomë, dëshmi d.m.th., nga institutet private që kam bërë kurse.”

“4280 që janë dorëzuar në bankë, përveç që 1000 euro kanë shkuar shpenzimet, jo letra, jo gjëra, 5 mijë- 6 mijë euro thuaj, edhe të mos marrësh vizën në fund!”

Gazetarja: “Nuk mundeshit juve të vazhdonit shkollën brenda vendit duke ditur që Italia është shumë e vështirë?”

“Brenda vendit është shumë më e vështirë sesa në Itali, sepse për të studiuar dhe për të hyrë nëpër shkolla të larta duhet të paktën të paguash 4 mln lek në universitetin më të thjeshtë.”

Ankesa e studentëve ka shkuar edhe në dyert e Ministrisë së Jashtme, por nuk janë pritur nga autoritetet. Versioni i dhënë nga ambasada italiane për ankimim, është ai i paraqitjes në Gjykatën Administrative të rajonit të Lazzio-s, por që edhe për të shkuar këtu duhet një vizë./tvklan.al