Vdekshmëria foshnjore vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në vendin tonë. Sipas një studimi të Institucioneve Shëndetësore dhe organizmave të huaja që operojnë në vend, për çdo 1000 mijë lindje, 18 bebe humbin jetën.

Rastet më të shpeshta janë në zonat rurale. Këto të dhëna janë publikuar në studimin e parë demografik dhe shëndetësor, sipas të cilit një tjetër shqetësim është kequshqyerja si dhe hipertensioni.

Alban Ylli: “Vdekshmëria foshnjore po bie, por nga ana tjetër mund të themi që kemi problem me vdekshmërinë foshnjore për faktin se ajo ngelet shumë e lartë në fshat sesa në qytet, pra kemi pabarazi. Vërejmë që në krahasim me vitin 2000 kequshqyerja në Shqipëri dukshëm ka rënë, por në krahasim me vitin 2005, pothuajse ka ngelur në stanjacion. Vërejmë që hipertensioni është një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri. Shumica dërrmuese e individëve nuk janë në dijeni të këtij fakti. Nëse në botë gjysma e atyre personave që kanë tension të lartë të gjakut janë të ndërgjegjshëm, në Shqipëri kjo shifër është shumë e vogël. Kemi një tendencë për rënie të pirjes së duhanit, për lënien e duhanit tek moshat 40 vjeçare, por një rezistencë për rënie tek 20-vjeçarët”.

Ky është studimi i parë i këtij lloji në vendin tonë. Ai do të shërbejë si bazë të dhënash për hartimin e politikave në disa fusha, ndër të cilat edhe arsimi apo shëndetësia./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami