Personat e moshuar që ndoqën një dietë mesdhetare me kalori më të ulët dhe u ushtruan minimalisht deri në 6 ditë në javë, fituan muskuj dhe humbën një sasi të konsiderueshme të yndyrës trupore deri në fund të një viti dhe e ruajtën pjesën më të madhe të saj për 3 vjet, sipas një studimi.
“Ky studim tregon se një dietë mesdhetare e kontrolluar me kalori plus ushtrime nuk prodhon thjesht humbje peshe, rezulton në një rishpërndarje të përbërjes së trupit nga dhjami në muskul”, tha Dr. David Katz, specialist për stilin e jetesës.
Përveç humbjes së yndyrës së përgjithshme të trupit, ata që morën pjesë në këtë studim humbën yndyrën e rrezikshme viscerale të barkut, e cila mund të çojë në diabet, sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Nëse dhjami visceral është rreth 10% e masës totale yndyrore të trupit tuaj, kjo është normale dhe e shëndetshme, sipas Klinikës Cleveland. Megjithatë, shumë yndyrë viscerale mund të krijojë inflamacion, duke kontribuar në sëmundje kronike.
Studimi i ri, i botuar në revistën “JAMA Network Open” ekzaminoi rezultate 1 dhe 3-vjeçare në një grup prej 1 mijë e 521 personash që iu nënshtruan skanimeve për të përcaktuar nivelet e yndyrës së brendshme të barkut.
Studimi ka zbuluar se dieta mesdhetare mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit, kolesterolit të lartë, demencës, humbjes së kujtesës, depresionit dhe kancerit të gjirit. Dieta, e cila është më shumë një stil i të ushqyerit sesa një dietë e kufizuar, është lidhur gjithashtu më kocka më të forta, një zemër më të shëndetshme dhe jetë më të gjatë.
Dieta përmban gatim të thjeshtë, me bazë bimore, me shumicën e çdo vakti të fokusuar në fruta dhe perime, drithëra, fasule dhe fara, me pak arra dhe një theks të madh te vaji i ullirit ekstra i virgjër. Yndyrnat e tjera, përveç vajit të ullirit, si gjalpi, konsumohen rrallë dhe po ashtu, sheqeri e ushqimet e rafinuara janë për raste të veçanta. Mishi i kuq përdoret me masë. Ngrënia e peshkut të shëndetshëm që është i pasur me omega-3 këshillohet, ndërsa vezët, qumështi dhe shpendët hahen në porcione shumë më të vogla sesa në dietën tradicionale perëndimore./tvklan.al