Uragani “Milton” mbërriti, së bashku me pasojat e tij. Stuhia ka filluar në bregun e Gjirit të Floridas pasi erërat e fuqishme të uraganit rritën nivelin e ujit të oqeanit në tokë.
“Milton” ka shkaktuar deri tani disa tornado dhe shi të rrëmbyeshëm deri në 450 mm. Stuhitë po godasin bregdetin ndërsa pjesa më e rrezikshme e uraganit po afrohet Tampas dhe Orlandos.
Uragani “Milton”, një stuhi e fuqishme e kategorisë 4 me erëra deri në 250 km, po i afrohet me shpejtësi bregut të Gjirit të Floridas dhe pritet të zbresë në tokë vonë të mërkurën sipas orës vendore ose herët nesër. Sipas raporteve, kjo përbën një kërcënim të madh për Gjirin Tampa, i cili nuk ka përjetuar një goditje të drejtpërdrejtë uragani që nga viti 1921.
Uragani do të jetë “vdekjeprurës dhe katastrofik”, paralajmërojnë zyrtarët, ndërsa miliona njerëz largohen nga Florida drejt një vendi më të sigurt. Stuhia i drejtohet zonës urbane të Gjirit Tampa, ku banojnë rreth 3 milionë vetë. Ajo mund të ndryshojë drejtim përpara se të arrijë në tokë.
Banorët pranë Gjirit të Floridas kanë vetëm disa orë për t’u evakuuar përpara se stuhia të sjellë me vete ujin e oqeanit, erërat shkatërruese dhe përmbytje nga shiu në një rajon tashmë të goditur nga Uragani Helena dy javë më parë.
“Ne jetojmë në një shtëpi të parafabrikuar, kështu që është e sigurt të largohemi. Ndaj përfunduam këtu,” thotë BONNI ADAMS.
Deanne Criswell, administratore e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, tha se janë dërguar miliona litra ujë, ushqime dhe furnizime të tjera në zonë.
“Dua që njerëzit të dëgjojnë drejtpërdrejt nga unë, FEMA është gati,” tha ajo.
Për presidentin Joe Biden, Milton është stuhia e shekullit. Ai tha se administrata po u bën presion kompanive për të mos rritur çmimet, në mënyrë që popullata të ketë qasje të lehtë në karburant, fluturime dhe mallra të tjera të nevojshme pa shumë shpenzime.
Ai dënoi gjithashtu përpjekjet e Trumpit dhe disa politikanëve rrotull tij për përhapjen e teorive konspirative. Ata thonë se uraganin e kontrollon qeveria federale.
Klan News