Një sulm global kibernetik ka goditur shoqëri të rëndësishme duke u paralizuar sistemet kompjuterike. Lajmi vjen nga “BBC”, që njofton se virusi i instaluar në sistemet e agjencive dhe ndërmarrjeve ka si qëllim bllokimin e tyre dhe zhvatjen me monedha elektronike Bitcoin.
Një prej shënjestrave të sulmit masiv kibernetik ishte edhe Centrali Bërthamor i Çernobilit, ku u desh ndërhyrja manuale për monitorimin e rrezatimit, pasi sistemi i sensorëve kishte rënë.
Ukraina është vendi më i goditur nga hakerat. Kompania shtetërore e shpërndarjes ë energjisë, Banka Kombëtare apo edhe aeroporti kryesor i Kievit ishin mes institucioneve të sulmuara.
Në Rusi gjiganti i karburanteve Rosneft u bë shënjestër gjithashtu.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas kësaj stuhie masive kibernetike.
Sipas ekspertëve dobësitë në sistemin operativ që hakerat kanë shfrytëzuar janë të njëjta me ato të sulmit kibernetik të një muaji më parë, ku u bllokuan aeroporte e banka në mbarë botën. Një kompani koreano-jugore u detyrua të paguajë 1 milion dollarë në muajin maj për të marrë të dhënat e saj mbrapsht, çka siç duket ka shtuar oreksin e hakeruesve.
/Tv Klan