Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka qenë e pranishme në tryezën për Simulimin e Menaxhimit të një Krize Kibernetike. Gjatë fjalës së saj, Balluku është shprehur se nuk ka pasur asnjë moment qetësie përsa i përket sulmeve kibernetike në vendin tonë që nga Korriku i 2022-shit.
Ministrja Balluku ka shtuar se këto sulme kanë qenë intensive dhe kanë ardhur në ngritje dhe fakti që për to nuk ka bujë në opinionin publik, për Ballukun nuk do të thotë se jemi në moment qetësie, por se mburojat janë më të fuqishme dhe se jemi më të rafinuar.
Belinda Balluku: Ne nuk kemi pasur asnjë moment qetësie pas Korrikut të 2022-shit. Sulmet kanë qenë intensive dhe kanë ardhur në ngritje, pse nuk dëgjohen më në publik, pasi ne jemi të përgatitur. Fakti që nuk ka më bujë në opinionin publik, nuk do të thotë që jemi në një moment qetësie, thjesht ne jemi rafinuar, mburojat tona më të fuqishme, mësojmë sigurisht nga këto sulme pasi ju e dini si është procesi i ngritjes së mburojave duke marrë si shembull sulmet e një dite më parë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku ka thënë se kanë arritur të definojnë një program të mirfilltë për të arritur një nivel sigurie kibernetike të kënaqshme.
Belinda Balluku: Qeveria ka nisur një proces digjitalizimi që i përgjigjet nevojës së kohës. Kemi nisur një rrugëtim të gjatë që kërkon vëmendje dhe kërkon një investim dhe kapital nga qeveria shqiptare. Nga ana tjetër, digjitalizimi rrit nivelin ndaj sulmeve kibernetike. Korriku i 2022-shit na tregoi se çfarë impakti mund të ketë një sulm i mirëorganizuar në goditjen e një vendi që ka vendosur të digjitalizojë një pjesë të madhe të shërbimeve. Kemi arritur të definojmë një program të mirfilltë për të arritur një nivel sigurie kibernetike të kënaqshme, ka qenë rrugë e vështirë për të bindur dhe partnerë të tjerë, siç është sektori privat.
Ka qenë pak e vështirë për ne, më është dashur që të ulem me drejtuesit e bankave të shpjegonim se sa e rëndësishme ishte të kishim një ndërveprim. Siguria kibernetike është një element që duhet të përvetësohet nga secili prej nesh përsa kohë nga mosha shumë të reja, për të mos thënë nga fëmijët e vegjël që janë të ekspozuar ndaj teknologjisë, sot të gjithë kanë bazuar jetën e tyre mbi teknologjinë duke i bërë të gjithë të prekshëm ndaj sulmeve kibernetike. Kërkon një mbrojtje kibernetike të perfeksionuar që duhet të nisë nga edukimi i brezave të rinj dhe deri tek nivelet më të larta, siç janë bankat apo ato që janë në posedim të shtetit shqiptar.
Ka pasur një ndryshim rrënjësor në më pak se 2 vite, është bërë një punë e mirë. Secili nga aktorët ka të qartë detyrimet e tij ndaj sistemeve që posedon dhe ndaj ekspozimit që mund t’i vijë qeverisë. Kriza kibernetike kërkon bashkëpunim të të gjithë shoqërisë dhe ashtu si qeveria ka vendosur fokus të veçantë për zhvillimin e të gjitha hapave që duhet të hidhen në të ardhmen, kështu duhet të jenë edhe bizneset. Kërkoj t’i lehtësoni punën ACESK-ut, nuk ka asnjë interes të futet te databazat e askujt, është aty për të mbrojtur dhe jo për rrjedhur informacion dhe unë besoj që ju e dini më mirë që siguria kibernetike nuk vë në rrisk dhe as nuk kompromenton asnjë nga proceset e sektorëve që do ta përdorin. Trupa që operon brenda ACESK-ut, ka marrë përsipër këtë lloj detyre, ka shkuar atje përmes një filtrimi të aftësive. Jeni në duar të sigurta./tvklan.al